Kjo është Luna, një qen robot, e pajisur me një sistem nervor digjital. Roboti është krijuar nga një start-up suedez i Inteligjencës Artificiale.
Ndryshe nga robotët e tjerë, Luna mund të mësojë dhe të përshtatet si njerëzit ose kafshët.
Ky është një nga rastet e para të asaj që njihet si agjent fizik i Inteligjencës Artificiale, i cili mund të marrë vendime dhe të kryejë veprime, në një farë mënyrë i pavarur.
"Ne kemi krijuar softuerin e parë që lejon çdo makineri të mësojë si njerëzit dhe kafshët. Dhe që ta kuptoni këtë më mirë, mund të imagjinoni një gjirafë të porsalindur në savanë ose një foshnjë të porsalindur.
Ato vijnë në jetë me shumë pak informacion për botën përreth, nuk e njohin as trupin e tyre, por kanë një superfuqi. Janë në gjendje t'i kuptojnë gjërat nga e para, pa pasur nevojë për një sasi të madhe të dhënash që mund të kushtojë miliarda dollarë. Ne arrimë ta kuptojmë botën përreth duke ndërvepruar me mjedisin. Teknologjia jonë u mundëson makinave të mësojnë saktësisht në të njëjtën mënyrë,” shpjegon CEO i Intuicell, Viktor Luthman.
Pra, roboti Luna do të mund të mësojë nga mjedisi që e rrethon, njëlloj si një qen i vërtetë.
Që Luna të mësojë të ecë, kompanisë do t’i duhet të punësojë një trajnues qensh, në vend që t’i instalojë një model gjenerues të fuqizuar nga Inteligjenca Artificiale.
Synimi i radhës për kompaninë është që të krijojë robotë që u ngjajnë njerëzve, për t’u dërguar në mjedise të paparashikueshme si hapësira apo thellësitë e deteve. (A2 Televizion)