Kur aligatori nuk do të dalë nga pishina

Nga A2 CNN
3 Qershor 2025, 11:29 | Kapur në kamera

Imagjinoni të zgjoheni në mëngjes, në një ditë të bukur me diell, e teksa bëheni gati të zhyteni në pishinën e shtëpisë suaj, të gjeni aty brenda një aligator. Kjo i ndodhi një familjeje në Pinecrest Lakes në Florida, ku një aligator mbi 2 metra i gjatë u ishte futur në pishinë, duke shkaktuar panik. Të zotët e shtëpisë telefonuan menjëherë policinë kur panë zvarranikun gjigant duke u shtrirë në ujë sikur të ishte në “pellgun” e vet.

Efektivët Dawn Ferris dhe Crystal Nash ishin të parat që mbërritën në vendngjarje, por situata u bë edhe më e tensionuar kur mbërriti kapësi profesionist i aligatorëve, Matt Hines, shkruan A2 CNN. Ai filloi përpjekjet për ta nxjerrë kafshën nga pishina, por aligatori reagoi dhunshëm, duke nisur të rrotullohej në një “spiral vdekjeje”, një lëvizje që zakonisht përdoret për të vrarë prenë.

Pamjet e publikuara nga Zyra e Sherifit të Qarkut Martin tregojnë momentet dramatike kur aligatori përpiqet të shpëtojë, duke u rrotulluar me forcë dhe duke goditur ujin me bishtin e tij të fuqishëm. Pas një beteje të gjatë dhe të lodhshme, Hines arriti më në fund ta tërhiqte aligatorin jashtë dhe ta transportonte në një vend të sigurt. Fatmirësisht, askush nuk u lëndua.

Zyrtarët lokalë paralajmërojnë se kjo nuk është ngjarje e rrallë. Gjatë sezonit të çiftëzimit, aligatorët bëhen më agresivë dhe lëvizin më shumë, shpesh duke u futur në zona të banuara. Autoritetet këshillojnë qytetarët dhe pronarët e kafshëve shtëpiake të jenë vigjilentë dhe të mos përpiqen kurrë të përballen vetë me një aligator. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos