Muri i madh i pluhurit "gëlltit" qytetin e Phoenix në Arizona

Nga A2 CNN
26 Gusht 2025, 09:17 | Kapur në kamera

Muri i madh i pluhurit "gëlltit" qytetin e Phoenix në

Një mur i madh pluhuri, i njohur në meteorologji si habub, përfshiu zonën metropolitane të Phoenix të hënën në mbrëmje, duke shkaktuar kushte të rrezikshme me dukshmëri zero.

Sipas CNN, pas këtij fenomeni dramatik atmosferik, zona u godit edhe nga stuhi të fuqishme, të cilat shkaktuan rrëzimin e pemëve, dëmtime të konsiderueshme materiale dhe ndërprerje të energjisë elektrike. Në Aeroportin Ndërkombëtar Phoenix Sky Harbor, erëra që arritën deri në 112 km/orë shkatërruan një nga urat e brendshme të objektit.

Shërbimi Meteorologjik Kombëtar në Phoenix lëshoi paralajmërime për stuhi rëre dhe stuhi të forta teksa sistemi përparonte në Qarkun Maricopa. Autoritetet u bënë thirrje banorëve të shmangnin udhëtimet me automjete për shkak të dukshmërisë së rrezikshme. Ndërkohë, Departamenti i Transportit i Arizonës raportoi për përmbytje në disa rrugë dhe paralajmëroi shoferët për kujdes maksimal gjatë lëvizjes.

Stuhia shkaktoi ndërprerje të energjisë për më shumë se 60,000 konsumatorë në Arizona, me pjesën më të madhe të ndërprerjeve të regjistruara në Qarkun Maricopa.

Për afërsisht një orë, Aeroporti Sky Harbor ndaloi të gjitha uljet dhe ngritjet për shkak të dukshmërisë së ulët dhe mbulimit të pistave nga pluhuri. Aktiviteti u rifillua më vonë, por me vonesa të konsiderueshme gjatë gjithë mbrëmjes, ndërsa ekipet e emergjencës kryen inspektime për dëmtime në infrastrukturë.

Në qytetin Gilbert, rreth 35 kilometra në juglindje të Phoenix, policia raportoi për ndërprerje të semaforëve dhe pemë të rrëzuara në shumë zona. Autoritetet u kërkuan banorëve të qëndrojnë në shtëpi për shkak të kushteve të rrezikshme në rrugë.

Stuhitë e rërës janë të zakonshme gjatë sezonit të musoneve në Arizona, por kjo ishte veçanërisht e fuqishme. Sipas CNN, habubi shkaktohet nga erërat e forta të një stuhie që fryjnë në drejtime të ndryshme, duke ngritur rërën nga toka dhe duke krijuar një mur pluhuri. Këto mure mund të arrijnë qindra metra në lartësi dhe të shtrihen për kilometra të tërë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos