Pamje dramatike në kufirin Meksikë-SHBA, gruaja me foshnjën kërkon ndihmë, ushtarët e injorojnë

Nga A2 CNN
23 Dhjetor 2023, 12:24 | Kapur në kamera

Një video e një gruaje me një foshnje në krahë, teksa përpiqet të kalojë Lumin e Madh, që ndan Meksikën nga Shtetet e Bashkuara, ka shkaktuar reagime të shumta. Në videon e xhiruar nga ana amerikane e bregut të lumit, shihet një varkë e Gardës Kombëtare Amerikane që kalon shumë pranë gruas, por injoron thirrjet e saj për ndihmë.

Priscilla Lugo, kryetarja e një shoqate për të drejtat e njeriut në Teksas, e cila filmoi pamjet dramatike, tha se ushtarët as që morën mundimin për ta ndihmuar gruan dhe foshnjën. Në një reagim për mediat, Garda Kombëtare hodhi poshtë akuzat duke thënë se gruaja nuk kishte shfaqur asnjë shenjë pamundësie për të dalë në breg dhe as nuk kishte nevojë për ndihmë mjekësore.

Sipas CNN, gruaja dhe foshnja arritën të dilnin në breg të lumit, në anën meksikane.

Autoritetet amerikane raportojnë se vetëm përgjatë muajit dhjetor, rreth 10 mijë emigrantë në ditë përpiqen të futen në SHBA në mënyrë të paligjshme përmes kufirit jugor. Sipas tyre, situata rrezikon të dalë jashtë kontrollit.

Gjatë javës, Presidenti amerikan, Joe Biden foli me homologun meksikan, Manuel Lopez Obrador dhe ranë dakord që palët duhet të bëjnë më shumë për të frenuar emigracionin e paligjshëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos