“Plas” peshku në Parlamentin e Australisë

Nga A2 CNN
26 Mars 2025, 16:41 | Kapur në kamera

Një senatore australiane shkaktoi një skenë të pazakontë në Parlament të mërkurën, duke nxjerrë një salmon të ngordhur për të protestuar kundër ligjeve të reja që mbrojnë fermat e diskutueshme të salmonit në një zonë të mbrojtur në Tasmani.

Senatorja e Partisë së Gjelbër, Sarah Hanson-Young, mbante një salmon të ngordhur në një qese plastike ndërsa i drejtonte një pyetje senatorit të Partisë Laburiste, Jenny McAllister, përfaqësuese e Ministrit të Mjedisit. Pas disa momenteve tensioni, presidentja e Senatit, Sue Lines, i kërkoi Hanson-Young ta largonte peshkun e ngordhur nga salla, shkruan A2 CNN.

Ligjet e propozuara do të garantonin vazhdimin e fermave të salmonit në zonën e mbrojtur të Macquarie Harbour në bregun perëndimor të Tasmanisë, duke kufizuar aftësinë e publikut për të kundërshtuar miratimin e këtyre aktiviteteve.

Megjithatë, grupet mjedisore dhe Partia e Gjelbër janë të shqetësuar për ndotjen që shkakton industria e salmonit, përfshirë lëndët ushqyese dhe kimikatet që dëmtojnë ekosistemin detar. Këto ndotje mund të rrezikojnë jetën e kafshëve të rralla.

Protesta e pazakontë e senatores synon të tërheqë vëmendjen mbi ndikimin negativ të fermave të salmonit dhe të rrisë ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit detar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos