Një raketë balistike, e dyshuar se ishte pjesë e sulmeve ajrore të Iranit, u pikas në veri të Izraelit të mërkurën. Që nga e premtja, Irani ka lëshuar rreth 400 raketa drejt Izraelit, rreth 40 prej të cilave kanë kaluar përmes mbrojtjes ajrore, duke vrarë 24 persona, të gjithë civilë, sipas autoriteteve izraelite, raporton Reuters, përcjell A2 CNN.
Ushtria izraelite tha se 50 avionë izraelitë goditën rreth 20 objektiva në Teheran gjatë natës, përfshirë objekte që prodhojnë lëndë të para, komponentë dhe sisteme ndërtimi për raketa. Ushtria u bëri thirrje iranianëve të largoheshin nga disa pjesë të kryeqytetit për sigurinë e tyre gjatë goditjeve.
Zyrtarët iranianë kanë raportuar të paktën 224 të vrarë nga sulmet izraelite, kryesisht civilë, megjithëse ai bilanc nuk është përditësuar prej disa ditësh.
Kjo është hera e parë që një numër i konsiderueshëm raketash të lëshuar nga Irani kanë depërtuar mbrojtjen ajrore, duke vrarë izraelitë në shtëpitë e tyre. (A2 Televizion)