Rajonet e ngrira të Arktikut janë shndërruar në pika të nxehta globale – jo vetëm për arsye gjeopolitike, si interesat e SHBA-së, Rusisë apo Kinës – por edhe për shkak të rritjes së turizmit në këto zona ekstreme. Svalbardi, një arkipelag norvegjez në veri të Rrethit Arktik, është një nga destinacionet më tërheqëse për udhëtarët që kërkojnë aventura në skajet e botës.
Duke pasur aeroportin më verior në botë me fluturime të rregullta, “Longyearbyen”, Svalbardi është më i arritshëm se sa mund të imagjinohet. Megjithatë, ndryshimet klimatike tashmë po lënë gjurmë serioze. Ndërtuar mbi permafrost (rrip nënujor toke që qëndron vazhdimisht i ngrirë), pista e aeroportit gjatë verës zhytet shkak të shkrirjes së dheut të ngrirë, duke rrezikuar funksionimin normal të aeroportit.
Ndërkohë, komuniteti lokal i përbërë nga rreth 2500 banorë ka kaluar nga varësia ndaj qymyrit – ndonëse i pranishëm në sasi të mëdha në ishull – në energji më të pastra. Pas mbylljes së centralit me qymyr në vitin 2023, Longyearbyen tani furnizohet nga një central me naftë, ndërsa një impiant i ri me biogaz pritet të hyjë në funksion në fund të 2025-ës, shkruan A2 CNN. Kjo do të reduktojë më tej emetimet e karbonit, duke ndihmuar në përmbushjen e objektivave mjedisore të Norvegjisë.
Pavarësisht katër muajve errësirë totale gjatë dimrit, Svalbardi ka që prej vitit 2015 një impiant diellor që funksionon mjaft mirë gjatë verës, kur ka 24 orë dritë dielli.
Sot, turizmi ka zëvendësuar industrinë minerare si burim kryesor të të ardhurave. Vizitorët vijnë për të parë Dritat e Veriut, për aventura me slita me qen, apo për të eksploruar natyrën e egër të Arktikut. Por kjo kërkon kujdes të veçantë: rreziqet nga arinjtë polarë dhe kushtet ekstreme atmosferike bëjnë që të rekomandohet udhëtimi vetëm me guida të trajnuara.
Me vetëm 500 dhoma të disponueshme për turistët dhe një fokus të qartë në ruajtjen e natyrës, Svalbardi po përpiqet të balancojë zhvillimin me mbrojtjen e një prej mjediseve më të paprekura në Tokë. (A2 Televizion)