
Një 17-vjeçar ukrainas, i identifikuar si Vlad, udhëtoi rreth 800 kilometra nga lindja në perëndim të vendit për të marrë një bombë dhe një telefon të fshehur në një park në Rivne, me synimin për ta vendosur në një furgon të shërbimit të rekrutimit ushtarak. Ai tregon për BBC se ishte joshur me premtimin për 2,000 dollarë dhe se duhej të montonte pajisjet në mënyrë që shpërthimi të mund të aktivizohej në distancë. Sidoqoftë, shërbimi ukrainas i sigurisë (SBU) ishte në dijeni të lëvizjeve të tij dhe e arrestoi përpara se sulmi të ndodhte. Tani, 18 vjeç, ai pret gjyqin për akuza terrorizmi që mund t’i sjellin deri në 12 vjet burg.
Rasti i Vladit është vetëm një prej qindra rasteve të ngjashme që autoritetet ukrainase po hetojnë. Sipas SBU-së, më shumë se 800 qytetarë janë identifikuar si të rekrutuar nga Rusia gjatë dy viteve të fundit, mes tyre 240 të mitur, disa vetëm 11 vjeç. Ekspertët e sigurisë dixhitale flasin edhe për tentativa për të rekrutuar fëmijë 9 apo 10 vjeç. Policia ukrainase thotë se shënjestra kryesore janë të rinjtë, të cilët mund të manipulohen lehtësisht dhe joshin kryesisht me pagesa në para.
Rekrutimi ndodh kryesisht përmes Telegramit, por edhe në TikTok apo platforma lojërash. Të interesuarve u premtohen shuma që variojnë nga 1,500 deri në 3,000 dollarë për akte si zjarrvënie, shpërthime apo sabotime ndaj institucioneve. BBC, e cila u infiltrua në disa prej këtyre kanaleve, zbuloi lista çmimesh dhe udhëzime për sulme, ndërsa shumë llogari mbetën aktive pavarësisht raportimeve, shkruan A2 CNN.
Autoritetet ukrainase akuzojnë shërbimet ruse të inteligjencës për drejtimin e këtyre rrjeteve, ndërsa disa vende europiane, përfshirë Britaninë, kanë raportuar raste të ngjashme të shtytura nga Rusia. Ndërkohë, disa nga të rekrutuarit në Ukrainë kanë humbur jetën gjatë transportimit të mjeteve shpërthyese. (A2 Televizion)
