Joschka Fischer mbi ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë: Duhet t’i përkrahësh ata që luftojnë për liri dhe pavarësi

Nga A2 CNN
20 Nëntor 2025, 23:46 | Kronikë

Joschka Fischer mbi ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë: Duhet

Në një intervistë të gjatë dhe personale për gazetën “Süddeutsche Zeitung” ish-ministri i jashtëm gjerman Joschka Fischer ka mbrojtur angazhimin e tij në fund të viteve 1990-të për çlirimin e Kosovës nga zgjedha e Beogradit. Në pyetjen se si arriti ta bind partinë e tij të Gjelbër për të hequr dorë nga pacifizmi dhe ku i ka rrënjët formimi i tij intervencionist, Fischer u përgjigj: “Kjo është një bindje themelore: solidaritet me viktimat e agresionit. Unë nuk jam njeri që ka jetuar apo predikuar sipas porosisë që nëse dikush të jep një shuplakë në faqen e majtë, t’i duhet t’ia kthesh të djathtën”.

Fischer nënvizoi se duhet të përkrahen “ata që luftojnë për lirinë dhe pavarësinë e tyre. Si u mund Hitleri? Jo me njerëz që heshtin dhe rrinë këmbëkryq. Ai u rrëzua me luftë”.

Në intervistë Fischer foli edhe për rolin e tij brenda partisë së Gjelbër. Ai tha: “Besoj se nuk ka politikan (gjerman) që të ketë humbur kaq shumë votime brenda partisë së vet sa unë. Vetëm votimin e fundit vendimtar për ndërhyrjen në Kosovë - atë e fitova”.

Në pyetjen nëse gjermanëve u mungon etika e vetëmbrojtjes për shkak të historisë së tyre në Luftën e Dytë Botërore, Fischer dha këtë mendim: “Jo. Por gjatë kohës së gjatë nën mbrojtjen amerikane, gjermanët pas vitit 1945, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim, janë bërë pacifistë strukturorë. Për arsye të mira. Dhe tani jemi vetëm. Prandaj, Europa duhet të jetë përgjigjja jonë - Europa jo vetëm si BE, që të mos më keqkuptoni. Nuk besoj se BE-ja është korniza e duhur për një Europë të aftë për frikësim dhe mbrojtje. Këtu duhet të jenë edhe Britania e Madhe, edhe Norvegjia, si kombe shumë të rëndësishme. Ne e kemi NATO-n - ende! Pyetja është: edhe për sa kohë? Por unë nuk do të këshilloja që të mbështetemi vetëm tek ajo”.

Sipas Fischer “Gjermania ndodhet në qendër të Europës. Me një madhësi kritike: shumë e madhe për Europën, shumë e vogël për botën. Vetë pozita jonë krijon një mjedis politik të jashtëm jashtëzakonisht kompleks dhe sfidues. (...) Edhe sot, pa Gjermaninë nuk mund të ndërtohet një kapacitet mbrojtës europian. Kjo është e mundur vetëm së bashku me Francën. Kurrë më vetëm - ky duhet të jetë përfundimi i parë, edhe në interesin tonë”.

Fischer u shpreh qartë kundër nacionalizimit: “Ta imagjinojmë një Europë nacionaliste të bëhej realitet. Atëherë për ne gjithçka do të përfundonte. Në nivel global nuk do të luanim më asnjë rol, dhe ekonomikisht do të shkonim drejt rënies dramatike”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos