Kureshtja e 4 vjeçarit bën copë-copë vazon 3500 vjeçare në muzeun izraelit

Nga A2 CNN
28 Gusht 2024, 09:50 | Lifestyle

Një vazo rreth 3500 vjeçare në muzeun Hecht në Haifa, ka rënë “viktimë” e kureshtjes së një djali 4 vjeçar gjatë vizitës së tij me të atin. Sipas BBC, vazoja që daton në epokën e bronzit, mes viteve 2200 dhe 1500 para Krishtit është bërë copë-copë pasi vogëlushi e ka thyer aksidentalisht.

Vazoja, që konsiderohej si një ekspozitë e rrallë për shkak të gjendjes shumë të mirë u vendos pranë hyrjes së muzeut, jashtë vitrinës së xhamit. Sipas filozofisë së muzeut kjo mund t’u japë vizitorëve mundësinë të admirojnë ekspozitat aty ku është e mundur pa "pengesa".

Babai i fëmijës deklaroi se djali i tij e tërhoqi butësisht vazon sepse ishte kurioz të shihte se çfarë kishte brenda, duke bërë që objekti antik të binte në dysheme dhe të thyhej. Ai përshkroi për BBC tronditjen e tij kur pa fëmijën pranë vazos së thyer dhe shpjegoi se shkoi menjëherë të fliste me rojen pasi qetësoi djalin.

Ndërkohë, Muzeu Hecht ka sqaruar se fëmija ishte ftuar përsëri në ekspozitë me familjen e tij për një turne me guidë pas incidentit disa ditë më parë, raporton A2 CNN.

“Ka raste kur objektet shkatërrohen qëllimisht dhe këto raste trajtohen me ashpërsi dhe përfshirje të madhe të policisë. Në këtë rast, megjithatë, nuk është kështu. Vazoja u shkatërrua aksidentalisht nga një fëmijë i vogël që vizitoi muzeun dhe reagimi ynë do të jetë proporcional”, tha një zyrtar i muzeut, citon A2 CNN.

Sakaq, një konservator special ka marrë përsipër restaurimin e vazos, e cila së shpejti do të kthehet në vendin e saj. Sa i përket muzeut, ai deklaroi se pavarësisht incidentit, do të vazhdojë të ekspozojë disa antika pa vitrinë, pasi kjo kontribuon në një eksperiencë më të mirë për publikun./ A2 CNN (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos