
Autoriteti amerikan i Barnave dhe Ushqimit (FDA) ka miratuar versionin në formë pilule të ilaçit për humbje peshe Wegovy, duke shënuar një hap të rëndësishëm në trajtimin e obezitetit. Lajmi u bë i ditur nga kompania farmaceutike daneze Novo Nordisk, prodhuesja e këtij ilaçi, e cila e cilësoi pilulën si një alternativë më të përshtatshme ndaj injeksionit të deritanishëm, përcjell A2 CNN.
Sipas Novo Nordisk, pilula Wegovy merret një herë në ditë dhe ofron të njëjtin efekt në humbjen e peshës si forma injektuese. Gjatë provave klinike, pacientët që përdorën pilulën arritën një humbje mesatare peshe prej 16.6%, ndërsa rreth një e treta e 1300 pjesëmarrësve humbën 20% ose më shumë të peshës trupore.

Wegovy ishte miratuar më herët nga FDA posaçërisht për humbje peshe, ndryshe nga ilaçe të ngjashme si Ozempic, i cili fillimisht u aprovua për trajtimin e diabetit të tipit 2, por më pas u përdor gjerësisht edhe për rënie në peshë.
Pilula e re pritet të hidhet në tregun amerikan në fillim të janarit 2026. Sipas drejtuesve të kompanisë, kjo risi mund të rrisë ndjeshëm shitjet e Novo Nordisk, e cila gjatë vitit të fundit ka përballuar konkurrencë të fortë nga kompani rivale si Eli Lilly.
Pas njoftimit, aksionet e Novo Nordisk shënuan rritje prej rreth 10% në tregjet financiare të Nju Jorkut. (A2 Televizion)