
Një episod i pazakontë ka ndodhur në aeroportin e Këln/Bonn, ku dy pasagjerë që kishin humbur thirrjen e fundit të imbarkimit tentuan të kapnin avionin duke thyer barrierat e sigurisë dhe duke vrapuar në pistë. Pamjet e publikuara në rrjete sociale tregojnë dy burra që nisin të vrapojnë drejt një avioni të linjës Wizz Air, të nisur drejt Bukureshtit, ndërsa tundin duart për t’i bërë shenjë pilotit të ndalojë.
Sipas autoriteteve, dy pasagjerët kishin shtypur xhamin e butonit emergjent dhe kishin hapur me forcë një derë sigurie që të çonte drejt pistës. Në video shihet një punonjës i aeroportit që u afrohet me shpejtësi për t’i ndalur.
Zyrtarët thanë se avioni Airbus kishte nisur tashmë lëvizjen drejt pistës së ngritjes kur të dy burrat ndërmorën vrapimin e rrezikshëm. Ata u ndaluan nga stafi dhe iu dorëzuan policisë federale. Kundër tyre janë ngritur akuza për hyrje të paligjshme dhe shkelje të ligjit të sigurisë ajrore, shkruan A2 CNN.
Aeroporti njoftoi se siguria e aviacionit nuk ka qenë asnjëherë e rrezikuar dhe se operacionet e fluturimeve nuk u prekën. Fluturimi i Wizz Air u vonua për shkak të incidentit, por mbërriti në Bukuresht pak para orarit. (A2 Televizion)
