
Trauma e përjetuar në fëmijëri mund të lërë gjurmë që shfaqen edhe dekada më vonë edhe në qumështin e gjirit. Një studim i publikuar në “Translational Psychiatry”, i cili analizoi qumështin e 103 nënave polake, ka zbuluar se gratë që kanë kaluar dy ose më shumë ngjarje traumatike gjatë 12 viteve të para të jetës prodhojnë qumësht me përbërje molekulare të ndryshme nga ato që kanë pasur një fëmijëri pa trauma.
Gjatë studimit, nënat dhe foshnjat u monitoruan në lindje, pas pesë muajsh dhe pas 12 muajsh. Mostrat e qumështit u morën në muajin e pestë, ndërsa informacionet për përvojat traumatike të nënës u grumbulluan në muajin e dymbëdhjetë për të shmangur ndikimin e stresit në prodhimin e qumështit. Analizat treguan nivele më të larta të tre mikroARN-ve specifike, fragmente të ARN-së që rregullojnë shprehjen gjenetike dhe përqendrime më të ulëta të acideve yndyrore me zinxhir të mesëm tek nënat me histori traumatike.
Studiuesit vunë re se edhe sjellja e foshnjave dukej se ndryshonte tek fëmijët e nënave që kishin përjetuar trauma, megjithëse kjo lidhje mbetet vetëm korrelative dhe jo shkakësore.
Vetë autorët theksojnë se gjetjet nuk duhen interpretuar si rrezik nga ushqyerja me gji. Përkundrazi, studimi nxjerr në pah se trauma e hershme mund të ketë ndikime biologjike afatgjata, por nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar nëse sinjalet epigjenetike të qumështit mund të ndikojnë te brezi i ardhshëm.
"Ne kemi nevojë për studime të mëtejshme për të sqaruar nëse këto sinjale epigjenetike të pranishme në qumësht janë thjesht bioshënjues, apo nëse ato transmetojnë rrezik, përshtatshmëri ose rezistencë te brezi i ardhshëm", komenton një nga autorët e studimit.
Studimi nënvizon gjithashtu rëndësinë e trajtimit të traumave të fëmijërisë dhe vlerësimin e mundësisë së ndërhyrjeve terapeutike para ose gjatë shtatzënisë. (A2 Televizion)
