Një algoritëm i quajtur FaceAge, i zhvilluar me teknologji të inteligjencës artificiale dhe publikuar në "The Lancet Digital Health", është në gjendje të vlerësojë moshën biologjike të një personi nga një fotografi e fytyrës.
Ky sistem i cili përkthen tiparet e fytyrës në një numër vitesh që pasqyrojnë shëndetin e përgjithshëm, ka treguar se pacientët me kancer duken mesatarisht pesë vjet më të vjetër biologjikisht sesa bashkëmoshatarët e tyre të shëndetshëm.
Programi u krijua për të përsosur atë që mjekët e quajnë "testi i syrit", i cili është vlerësimi me sy të lirë i gjendjes shëndetësore të një personi. Megjithatë, shkruan A2 CNN algoritmi i ri ofron një qasje më objektive dhe të saktë, të aftë për të kapur detaje që shpesh i shpëtojnë syrit të njeriut.
Sistemi u trajnua në më shumë se 58,000 portrete të të rriturve të shëndetshëm mbi 60 vjeç dhe më pas u testua në gati 6,000 pacientë me kancer të trajtuar në Shtetet e Bashkuara dhe Holandë. Rezultatet tregojnë se ata që kishin një moshë biologjike mbi 85 vjeç, edhe nëse kronologjikisht më të rinj, kishin perspektiva më të ulëta mbijetese. Por nuk është vetëm një pamje e gjendjes aktuale, algoritmi ka provuar të jetë i aftë të parashikojë me saktësi të habitshme edhe rrezikun e vdekshmërisë brenda gjashtë muajve, duke tejkaluar aftësitë parashikuese të tetë mjekëve ekspertë të cilëve iu kërkua të vlerësonin të njëjtat imazhe.
Megjithatë, teknologjia ngre pyetje etike dhe psikologjike, sidomos nëse përdoret nga kompani sigurimesh apo punëdhënës. Ndërsa nga njëra anë mund të bëhet një mjet i vlefshëm për onkologët e kardiologët, nga ana tjetër mund të jetë me interes për kompanitë e sigurimeve ose punëdhënësit që kërkojnë metoda për të vlerësuar rreziqet që lidhen me shëndetin, përcjell A2 CNN.
Zhvilluesit sigurojnë se kanë kontrolluar që sistemi të mos paraqesë paragjykime racore, një nga çështjet kritike më të diskutuara në përdorimin e inteligjencës artificiale, por ata po punojnë për të zhvilluar një version më të përparuar, të trajnuar me 20 mijë pacientë shtesë, për të forcuar saktësinë e parashikimeve.
Në të njëjtën kohë, po shqyrtohen variabla që mund ta çorientojnë algoritmin, siç janë grimi i rëndë, kirurgjia kozmetike ose kushtet e ndriçimit artificial, faktorë që mund të ndryshojnë perceptimin e tipareve fizike dhe ta ngatërrojnë makinën, shkruan A2CNN.
Së fundmi, lind pyetja psikologjike. Të dish që trupi yt po plaket më shpejt se sa pritej mund të të frymëzojë të ndryshosh stilin e jetës, por gjithashtu mund të shkaktojë ankth ose depresion. Studiuesit theksojnë se një mjet i tillë duhet të përdoret me kujdes dhe gjithmonë nën mbikëqyrjen e personelit mjekësor të kualifikuar. Për t’iu përgjigjur këtyre skenarëve, si pjesë e një studimi shkencor të hartuar, po projektohet një portal i hapur për publikun, ku do të jetë e mundur të ngarkohet një selfie dhe të merret një vlerësim. Megjithatë, versionet komerciale për përdorim klinik do të mbërrijnë vetëm pas vlerësimeve të mëtejshme dhe kontrolleve rigoroze.
Ndërkohë, FaceAge e ka testuar veten me një fytyrë të famshme: atë të aktorit Paul Rudd, i cili vlerësohet të jetë biologjikisht 43 vjeç në një foto të bërë kur ishte 50 vjeç; Një e dhënë se si kjo teknologji mund të shndërrohet lehtësisht në një fenomen popullor, i destinuar të shkaktojë diskutime, duke anashkaluar fushën mjekësore.
(A2 Televizion)