Zbulohet origjina e kancerit të mushkërive që prek kryesisht duhanpirësit

Nga A2 CNN
5 Maj 2025, 12:26 | Lifestyle

Zbulohet origjina e kancerit të mushkërive që prek kryesisht

Një grup shkencëtarësh britanikë ka zbuluar origjinën qelizore të një forme të zakonshme të kancerit të mushkërive, që është ngushtësisht e lidhur me pirjen e duhanit. Në një studim të botuar në Science, ata zbuluan se pirja e duhanit dëmton qelizat bazë të trakesë (organi që lidh laringun me bronket), duke i bërë ato të dominojnë mbi llojet e tjera të qelizave dhe të pushtojnë pjesë të mëdha të mushkërive.

"Ne zbuluam se një nëngrup qelizash që shprehin gjenin Krt5 bëhet dominues dhe fillon të zhvendosë qelizat normale. Zgjerimi bëhet i dukshëm dhe pasardhësit e disa qelizave origjinale të trakesë pushtojnë qelizat normale, në disa raste duke populluar lobe të tëra të mushkërive. Janë këto qeliza që në fund formojnë tumore”, shpjegon Sam Janes, Profesor i Mjekësisë Respiratore në University College London dhe autor kryesor i studimit.

Ky dëmtim çon në krijimin e lezioneve prekanceroze, që në fund zhvillohen në karcinomën me qeliza skuamoze, një nga format më të zakonshme të kancerit të mushkërive.

Kanceri i mushkërive është një shkak kryesor i vdekjes në vendet e industrializuara, dhe faktori më i zakonshëm i rrezikut është pirja e duhanit. Kanceri i mushkërive me qeliza skuamoze, ose karcinoma me qeliza skuamoze, është një tumor malinj i mushkërive që zhvillohet kur qelizat grumbullojnë dëmtime për shkak të ekspozimit ndaj toksinave.

Zbulimi ndihmon në kuptimin e kalimit të qelizave të shëndetshme në qeliza kancerogjene dhe mund të çojë në përmirësimin e diagnostikimit të hershëm, duke rritur mundësitë e trajtimit dhe parandalimit të kancerit të mushkërive.

Shkencëtarët shpresojnë që ky zbulim të çojë në zhvillimin e metodave për të identifikuar ndryshimet në qelizat bazale përpara se ato të shndërrohen në tumore, duke mundësuar diagnostikimin e hershëm dhe parandalimin e kancerit të mushkërive. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos