Një grua kundër grave në hapësirë: Fundi i botës, po shkatërroni planetin

Nga A2 CNN
15 Prill 2025, 12:31 | Lifestyle

Modelja dhe aktorja Emily Ratajkowski ka shprehur zhgënjimin e saj ndaj misionit të fundit të kompanisë Blue Origin, që për herë të parë përfshiu një ekuipazh tërësisht femëror. Në një video të publikuar në TikTok, ajo e quajti fluturimin 11-minutësh “të neveritshëm” dhe “fundin e botës”.

Ratajkowski kritikoi kontradiktën mes mesazheve për kujdes ndaj Tokës dhe përdorimit të një rakete që sipas saj kontribuon në shkatërrimin e mjedisit, shkruan A2 CNN. Ajo pyeti për qëllimin e këtij udhëtimi: “Sa burime u përdorën për të dërguar këto gra në hapësirë? Për çfarë? Cili ishte mesazhi?”.

Ekuipazhi përfshinte emra si këngëtarja Katy Perry, gazetarja Gayle King, aktivistja Amanda Nguyen, shkencëtarja Aisha Bowe, regjisorja Kerianne Flynn dhe Lauren Sanchez – e fejuara e themeluesit të Amazon dhe Blue Origin, Jeff Bezos.

Reagimet nuk munguan edhe nga yje të tjerë si Olivia Wilde dhe Olivia Munn. Kjo e fundit, në një intervistë, e krahasoi fluturimin me një udhëtim në Disneyland dhe e kritikoi luksin e përgatitjes së grave për misionin, përfshirë grimin dhe zgjatimet e qerpikëve.

Nga ana tjetër, Gayle King dhe Lauren Sanchez mbrojtën misionin duke thënë se qëllimi ishte frymëzimi i brezave të rinj dhe promovimi i përfshirjes së grave në fushat shkencore. “Ky udhëtim përfaqëson shumë për vajzat dhe gratë e reja”, tha King.

Pavarësisht kritikave, udhëtimi përshkruhet nga Blue Origin si një moment historik për barazinë gjinore në hapësirë, i pari i këtij lloji që nga fluturimi i Valentina Tereshkovës në vitin 1963. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos