Punë me krimbat e mëndafshtë, gratë në Egjipt, specialiste të qilimave artizanalë

Nga Anxhela Celibashi
23 Korrik 2024, 08:34 | Lifestyle

Në zonën e Deltës së Nilit në Egjipt puna me krimbat e mëndafshtë është kthyer në sektorin kryesor të ekonomisë së tyre. Ata i rrisin krimbat, kujdesen për ta, i thajnë dhe më pas nxjerrin prej tyre fijet për të krijuar qilimat e mëndafshtë. Një proces i cili realizohet në mënyrë artizanale.

Ky projekt ka nisur rreth 5 vite më parë dhe aktualisht në të janë punësuar një numër i madh i grave të kësaj zone.

Duhen 35 ditë që krimbat të kthehen në fshikëza, përpara se të fillojë nxjerrja e fijeve. Çdo fshikëz jep 900-1000 metra fije të lidhur.

Një nga punonjëset tregon një nga proceset e punës. “E ziejmë ujin, i hedhim mëndafshin dhe zgjat rreth 10-15 minuta, më pas e nxjerrim nga uji i nxehtë, e vendosim këtu që të nxjerrim fijet e mëndafshit me makinë”, tregon ajo.

Ndërsa menaxheri i punishtes tregon ndër të tjera, se kjo punë ka ndihmuar shumë në angazhimin e grave në punë dhe në jetën sociale.

“Ne jemi njerëz të thjeshtë këtu në qytet, dikur roli i grave ishte të qëndronin në shtëpi, ndërsa tani nëse kontrolloni punishten e qilimave, do të zbuloni se 95 për qind e punëtorëve janë gra. Gratë dikur rrinin në shtëpi dhe ishin amvise, por tani janë krijuese, prodhuese dhe shumë të afta, pasi produktet e tyre shkojnë ekspozohen në panaire ose eksportohen. Ky është mesazhi që duam t'i përcjellim shoqërisë, që jetojmë me dinjitet dhe nder”, është shprehur ai.

Tashmë, këto zonja janë kthyer specialiste në këtë fushë, dhe janë të gatshëm të ndihmojnë e të mësojnë këdo që pëlqen qilimat dhe do të hapë një punishte të tillë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos