Hobi i këtij çifti? Ngjitja në rrokaqiejt në botë, historia e dashurisë aspak e zakonshme

Nga A2 CNN
19 Korrik 2024, 17:24 | Lifestyle

Kur pyeten se si kanë njohur njëri-tjetrin Ivan Beerkus dhe Angela Nikolau kanë shumë për të treguar. Nuk kanë një histori dashurie të zakonshme. Pasioni për lartësitë i bëri bashkë dhe sot janë yjet e një film-dokumentari në Netflix që mban titullin, "Skywalkers: A Love Story”.

Çifti ngjitet në ndërtesat më të larta të qyteteve dhe prodhojnë përmbajtje për rrjetet sociale. Ishte Beerkus i cili e kishte ftuar Nikolau, e cila ishte ndër të paktat vajza që bënë këtë lloj aktiviteti, për të krijuar video dhe foto për rrjetet sociale, por pas bashkëpunimit e kuptuan se mes tyre po lindte një romancë shumë e bukur.

Për çiftin, ngjitja e rrokaqiejve nuk ka të bëjë vetëm me kërkimin e emocioneve. Nikolau, dikur pjesë e cirkut thotë në film kjo dëshirë e saj ishte e rrënjosur që nga fëmijëria dhe se gjithmonë përpiqet të përmirësojë veten. Për Beerkus-in, ngjitja e rrokaqiejve i ofron atij një qetësi mendore…ndonëse rreziku është prezent.

Besoni apo jo, Nikolau pohon se ka frikë nga lartësitë, diçka me të cilën është dashur të përballet vazhdimisht për të vazhduar me punën.

“Frika nuk u largua kurrë; Thjesht bëra gjithnjë e më mirë në përballjen me të”, shpjegon ajo në një klip.

Postimet e tyre në rrjetet sociale janë fantastike, gati-gati duken si surreale, prandaj në film po përpiqen që të tregojnë gjithçka, që nga ideja deri në ngjitjen në ndërtesat më të larta të qyteteve të ndryshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos