Rikthehen rrathët misteriozë në fusha, shpërthejnë menjëherë konspiracionet mbi UFO-t

Nga A2 CNN
21 Maj 2025, 23:14 | Lifestyle

Rikthehen rrathët misteriozë në fusha, shpërthejnë

Rrathë misterioze në fusha janë zbuluar sërish në Wiltshire, një nga zonat më të njohura në botë për fenomenet e lidhura me UFO-t. Dy formacione të reja të çuditshme u panë në mes të majit pranë fshatit Sutton Veny, vetëm 13 milje larg nga Stonehenge, dhe një tjetër në Dorset, rreth 30 milje larg.

Formacioni i parë, i zbuluar më 15 maj, përbëhej nga një dizajn gjeometrik perfekt që ngjante me një nyje kelte ose një yll me katër cepa brenda një rrethi. Më 19 maj, një tjetër model i ndërlikuar u gjet në Dorset, me figura gjeometrike brenda dy rrathëve që mbivendoseshin, shkruan A2 CNN.

Këto formacione, të njohura si “crop circles”, janë forma të mëdha që shfaqen papritur në fusha me grurë apo misër, zakonisht gjatë natës. Shumë i konsiderojnë si vepra arti apo shakara të organizuara, por teoricienët e konspiracionit mbi UFO-t besojnë se janë mesazhe nga jashtëtokësorët.

Rikthehen rrathët misteriozë në fusha, shpërthejnë

Ndërkohë që disa formacione janë pranuar si të krijuara nga njerëzit me mjete të thjeshta, të tjerë mbeten të pashpjegueshëm. Disa dëshmitarë madje raportojnë drita të çuditshme mbi fusha pak para se të formoheshin këto figura, shkruan A2 CNN.

Wiltshire mbetet epiqendra e këtij fenomeni në Mbretërinë e Bashkuar, me mbi 380 rrathë të regjistruara që nga viti 2005. Fenomeni zakonisht ndodh në periudhën maj–gusht, kur bimët janë të larta.

Ndërsa pronari i fushës ku u gjet nyja kelte ishte i mërzitur për dëmin në të mbjella, ai vendosi të lejojë vizitorët të hyjnë kundrejt një donacioni të vogël.

Rikthehen rrathët misteriozë në fusha, shpërthejnë

Monique Klinkenbergh, drejtore e një ekspozite për “crop circles” në Wiltshire, tha për BBC: “Ka me të vërtetë një mister – disa prej tyre krijohen brenda pak minutash nga një burim i padukshëm.”

Megjithëse shumë besojnë në origjinën jashtëtokësore të këtyre formacioneve, të tjerë si Doug Bower dhe Dave Chorley kanë pranuar që në vitet ‘90 se i kanë krijuar vetë më shumë se 200 prej tyre me mjete të thjeshta. Edhe studentë të MIT në SHBA kanë krijuar modele të ngjashme për qëllime studimore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos