
Sagrada Família është bërë kisha më e lartë në botë, pasi punëtorët vendosën pjesën e parë të një kryqi në majë të kullës qendrore të saj.
Me një lartësi prej 162.91 metrash, bazilika spanjolle zyrtarisht ia ka thyer rekordin Katedrales së Ulmit në Gjermani, e cila e ka mbajtur kurorën që nga viti 1890.
I projektuar nga arkitekti i njohur Antoni Gaudí, vendi i adhurimit ka qenë në ndërtim e sipër në qendër të Barcelonës prej më shumë se një shekull, me ndërtesën kryesore që pritet të përfundojë vitin e ardhshëm.
Kulla qendrore e Jezu Krishtit do të lartësohet me shtimin e pjesës tjetër të kryqit gjatë disa muajve të ardhshëm, duke arritur përfundimisht në 172 metra.
Guri i parë i Sagrada Família u vendos në vitin 1882, ndërsa arkitekti në ngritje Gaudí mori përsipër projektin vitin pasardhës.
Ai i transformoi projektet origjinale për bazilikën në një propozim shumë më ambicioz, i cili fillimisht u financua nga donacionet e besimtarëve të penduar.
Në kohën e vdekjes së tij të papritur në vitin 1926, vetëm një nga 18 kullat e planifikuara ishte ndërtuar.
Në vitet në vijim, ndërtimi i mrekullisë arkitekturore u menaxhua nga fondacioni Sagrada Família dhe u financua nga kontributet e turistëve, vizitorëve dhe donatorëve privatë. (A2 Televizion)
 
                                           
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                   
 
						                    
						                    
						                   