
Një diamant i jashtëzakonshëm, gjysmë rozë dhe gjysmë i tejdukshëm, është zbuluar në minierën Karowe të Botsvanës, duke mahnitur botën e bizhuterive. Guri i çmuar është 37.41 karatë (rreth 7.5 gramë) dhe ka një gjatësi rreth 2.5 centimetra, me një ndarje të qartë mes pjesës rozë dhe asaj pa ngjyrë.
Ekspertët e përshkruajnë si një prej diamanteve më të rëndësishëm të zbuluar ndonjëherë, për shkak të formimit të tij unik. “Ky diamant ka potencialin të bëhet një nga më të rëndësishmit në histori,” deklaroi Oded Mansori, bashkëthemelues i kompanisë belge HB Antwerp, e cila po merret me përpunimin e tij, shkruan A2 CNN.
Diamanti është formuar mbi tre miliardë vite më parë, nën presione dhe temperatura ekstreme. Ndryshe nga diamantet me ngjyra të tjera, nuanca rozë krijohet jo nga papastërtitë, por nga deformime strukturore gjatë proceseve gjeologjike.
Diamante të ngjashme janë zbuluar më parë, por asnjë nuk ka arritur këtë madhësi, shumica nuk kalojnë dy karatë. Miniera Karowe njihet për zbulime spektakolare, si Sewelô (1,758 karatë), Sethunya (549 karatë) dhe Motswedi (2,488 karatë). Vlera e diamantit të ri nuk është përcaktuar ende, por pritet të jetë miliona dollarë pas përpunimit nga HB Antwerp. (A2 Televizion)
