Sfilatë në “Paris Palais Garnier”. Chanel prezanton koleksionin e ri “Haute Couture” vjeshtë

Nga A2 CNN
26 Qershor 2024, 15:18 | Lifestyle

Chanel kishte organizuar një shfaqje “Haute Couture” në Shtëpinë e Operas “Paris Palais Garnier”, ku prezantoi koleksionin e saj unik, elegant, me copa të trasha e të rënda, veshje për vjeshtë e dimërore, nga kostumet e drejta pas trupi tek fustanet voluminoze, me tyl e tafta të fryra.

Modelet sfiluan përmes dyerve të ngushta e gati private të Shtëpisë Operas drejt korridoreve të gjatë, me audiencën që sodiste në qetësi propozimet e reja, para syve, në katet e mësipërme, përmes shkallëve apo edhe qark përmes pasqyrave të varura kudo.

Modelet prezantuan veshjet e vjeshtës kryesisht por edhe dimrit, me fustane elegante, të qëndisura, me buste të shtrënguar e pallto përsipër. Sandalet ishin të hapura në majë, me takë të shkurtër, shoqëruar me kristale apo perla.

Shfaqjen e mbylli një veshje tradicionale nuse, me mëngë të gjatë, e gjitha në mëndafsh, me vetëm bustin të mbuluar nga gurët. Takat nuk munguan as këtu, bashkë me fjongon e bardhë, në të njëjtin tonalitet si fustani.

Fillimisht Chanel kish menduar Kullën Eiffel për sfilatën por për shkak të rinovimeve në të, ideja që shkonte në të njëjtën linjë me koleksionin elegant, kish qenë pallati i Operës, rrethuar nga xhami e pasqyrat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos