Spanja po përgatitet për një reformë të thellë në ligjin kundër duhanit, me qëllim mbrojtjen e popullsisë nga ekspozimi ndaj tymit dhe i produkteve të reja të duhanit si “vapës” dhe cigaret elektronike.
Drafti më i fundit thekson se prioritet do të kenë qytetarët që nuk tymosin në mënyrë që të marrin frymë në ajër të pastër dhe të pakontaminuar.
Reforma mbështetet në “Planin Integral për Parandalimin dhe Kontrollin e Duhanpirjes 2024–2027” dhe është përshkruar nga ministrja Mónica García si një nismë ambicioze në mbrojtje të shëndetit publik.
Ku do të ndalohet duhani sipas ligjit të ri?
Projektligji parashikon ndalimin e duhanpirjes në një sërë ambientesh të jashtme dhe publike, përfshirë:
Tarraca e bareve dhe restoranteve
Kampuset universitare dhe shkolla
Palestra dhe fusha sportive
Stacione autobusi
Automjete që përdoren për punë
Pishina publike
Brenda një rrezeje prej 15 metrash nga hyrjet e institucioneve publike, shkollave, qendrave shëndetësore, muzeve, biblioteka, palestra dhe parqe lojërash për fëmijë
Gjithashtu, do të përfshihen në rregullim edhe produktet e reja si vapes dhe cigaret elektronike, ndërkohë që parashikohen masa të reja fiskale, përfshirë rritjen e çmimeve të duhanit.
Reforma mbështetet edhe nga Komisioni Evropian, i cili synon reduktimin e konsumit dhe rritjen e të ardhurave nga taksat mbi duhanin. Vetëm gjatë vitit të kaluar, Spanja grumbulloi mbi 8.9 miliardë euro nga taksat mbi produktet e duhanit. Megjithatë, për të miratuar rregulloren në nivel europian, nevojitet një votim unanim i 27 shteteve anëtare.
Ndërkohë, në kuadër të sezonit turistik, një numër gjithnjë e më i madh plazhesh spanjolle janë shpallur “zona pa duhan”. Vetëm në Ishujt Baleare, 50 plazhe tashmë janë bërë pjesë e fushatës “Plazhe pa tym, plazhe të shëndetshme”, përfshirë edhe plazhet Muro në Mallorca dhe Port de Sant Miquel në Ibiza.
Fushata është zgjeruar edhe në pjesë të tjera të vendit: 53 plazhe në Andaluzí, 61 në Ishujt Kanarie, 18 në Costa del Sol dhe rreth 25% e plazheve të Costa Blancës tashmë ndalojnë pirjen e duhanit.
Dënime deri në 600 mijë euro
Ligji i ri do të parashikojë gjoba të rënda për shkelësit, që variojnë nga shkelje të lehta deri në shumë të rënda, duke përfshirë edhe ndalimin e reklamimit dhe sponsorizimit të produkteve të duhanit jashtë përjashtimeve të ligjshme.
Spanja pritet të bëhet një nga vendet me legjislacionin më të ashpër antiduhan në Evropë, duke e kthyer këtë reformë në një pikë kthese për shëndetin publik. (A2 Televizion)