Një rast që për dekada u konsiderua si vrasje e pazbardhur ka marrë një kthesë të papritur në Gjermani. Një burrë i zhdukur që prej vitit 1994, i shpallur i vdekur nga familja, është gjetur i gjallë në Francë.
Sipas Bild, Bëhet fjalë për Boris C., një kroat 37-vjeçar në atë kohë me banim në Viersen, Gjermani, i cili u zhduk në shtator të vitit 1994. Në atë kohë, policia gjeti makinën e tij në Dyseldorf me gjurmë gjaku brenda, çka çoi në dyshimet për një vrasje. Tre vite më vonë, familja e tij e shpalli të vdekur.
Hetimet u rihapën disa herë ndër vite, pasi në Gjermani krimi i vrasjes nuk parashkruhet. Përparimet në analizën e ADN-së konfirmuan se gjaku i gjetur në makinë i përkiste vetë Boris C.-së.
Së fundmi, policia dhe prokuroria në Viersen konfirmuan se Boris C. është gjallë dhe banon në Francë. Ai u identifikua dhe u mor në pyetje. Sipas autoriteteve, ai ishte larguar qëllimisht për shkak të problemeve me borxhet dhe frikës nga ndëshkimet ndaj vetes dhe familjes. Për këtë arsye, kishte inskenuar zhdukjen e tij dhe kishte lënë pas një skenë të rreme krimi, përfshirë plagët që ia kishte shkaktuar vetes. Në Francë, ai kishte ndërtuar një jetë të re dhe kishte krijuar një familje tjetër, shkruan A2 CNN.
Zbulimi ndodhi pasi Boris C. tentoi të merrte dokumente zyrtare në Francë vitin e kaluar, përfshirë një patentë të re. Autoritetet franceze zbuluan se ai ishte shpallur i vdekur në Gjermani që në vitin 1997 dhe kontaktuan autoritetet gjermane. Gjatë marrjes në pyetje, ai pranoi gjithçka, duke i dhënë fund një prej rasteve më të pazakonta të zhdukjeve në Gjermani.
Ligjërisht, Boris C. mund të akuzohej, por kjo vepër është tashmë e parashkruar pas më shumë se pesë vitesh. Megjithatë, prokuroria po shqyrton nëse ka vend për ndonjë tjetër procedim penal.
Rasti ka shkaktuar bujë të madhe në opinionin publik gjerman dhe është cilësuar si një nga rastet më spektakolarë të zgjidhur në dekadat e fundit. (A2 Televizion)