
Sektori energjetik është ndër sektorët më të ndjeshëm nga zhvillimet gjeo-politike. Kështu ka deklaruar ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi në Konferencën e FIAA (Shoqata e Investitorëve të huaj në Shqipëri). Sipas tij në këto kushte duhet vendimmarrje e shpejtë, teksa renditi edhe arritjet e vendit tonë.
“Kjo e vendos sektorin përballë sfidave të reja, duhet vendimmarrje e shpejtë. Kemi forcuar institucionet, kemi moderinizuar prodhimin, kemi ndërtuar një partneritet real me sektorin energjetik. Kontributi i investitorëve vendas dhe të huaj ka qenë vendimtar në këtë transformim. Viti 2019 ishte kyç për momentin e zhvillimi të këtij sektori. Nga një varësi totale te burimet hidrike, sot projektet fotovoltaike kanë sjellë standarde të reja për Shqipërinë. Kemi projekte të ndërtuara nga zhvillimi i ankandeve fotovoltaike. Sot rreth 10% e prodhimit vendas vjen nga energjia diellore, duke ulur varësinë nga kushtet klimatike”, deklaroi Karakaçi.
Sipas tij “ngjarjet në Europë tregojnë se siguria energjetike nuk është e lidhur vetëm me prodhimin por edhe transmetimin. Duhet ndërlidhje me tregjet europiane. Ky është edhe fokusi ynë”.
Ai përmendi edhe projektet me Maqedoninë e Veriut, Greqinë apo Italinë, sa i takon transmetimit në sektorin energjetik.
Ministri tha se do të krijohet Akademia e Energjisë, ndërsa vuri theksin edhe te investimet në burime njerëzore në këtë sektor.
“400 mega kapacitet prodhuese në vend. Janë marrë hapa për uljen e humbjeve, krijimin e kompanive në qëndrueshmëri financiare të mos jemi të varur nga ndërhyrjet shtetërore për financimin. Është nevoja për investime në burime njerëzore, janë çelësi i sektorit energjetik. Po marrim hapa konkretë. Kemi vendosur krijimin e Akademisë së Energjisë. Lëmi sinergji shumë të mirë me financuesit ndërkombëtarë. Kemi nevojë për investime e ide të reja”. (A2 Televizion)