“Vezë, sardele, shegë”, gjinekologu tregon ushqimet që duhen konsumuar për rritjen e testosteronit

Nga A2 CNN
11 Nëntor 2025, 10:28 | Lifestyle

Gjinekologu Shkëlqim Balili, i ftuar në emisionin “Dita jonë” në A2 CNN, ka theksuar rëndësinë jetike të dietës dhe stilit të shëndetshëm të jetesës për rritjen natyrale të testosteronit dhe ruajtjen e shëndetit hormonal. Ai nënvizon se balanca e trupit nuk varet nga suplementet, por nga rutina e përditshme dhe ushqimi i duhur.

Sipas tij, elementi më thelbësor është dieta. “Ushqime janë veza, sardelet, salmoni, kërpudhat, mëlçia e zezë, fileto e pulës, fileto e gjelit të detit, mish i freskët”, thotë ai. Sipas Balilit, konsumimi i produkteve të përpunuara, sheqernave dhe lëngjeve të gazuara duhet të shmanget plotësisht.

Një nga këshillat kryesore ishte konsumimi i dy vezëve çdo ditë, duke hequr frikën e gabuar se veza rrit kolesterolin. “Çdo njeri që ecën me dy këmbë në tokë duhet të marrë dy vezë”, tha ai, duke e cilësuar vezën si një nga ushqimet më esenciale për organizmin.

Balili shtoi se sardelet janë ndër ushqimet më të shëndetshme për shkak të nivelit shumë të ulët të merkurit. Sipas tij, konservat me sardele dhe vaj ulliri përbëjnë një burim të shkëlqyer proteinash dhe acidesh yndyrore të dobishme.

Gjinekologu veçoi edhe dy fruta të sezonit, duke theksuar: “Është shega dhe molla. Shega është universi i frutit, antioksidanti më i mirë dhe energjia më e mirë”. Ai rekomandoi konsumimin e lëngut të shegës për forcim të imunitetit dhe funksion hormonal.

Balili paralajmëroi gjithashtu se ushqimet me shumë fruktozë si bananet, rrushi, fiqtë dhe mjalti kontribuojnë në dhjamosjen e mëlçisë, një problem serioz global që prek rreth 2 miliardë njerëz. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos