Një fosil i anashkaluar prej vitesh në një muze në Brazil ka rezultuar të jetë milingona më e vjetër e njohur deri më sot, duke e shtyrë historinë e tyre për rreth 10 milionë vjet më herët se sa besohej më parë, shkruan A2 CNN. Sipas një studimi të publikuar në revistën Current Biology, kjo milingonë jetoi rreth 113 milionë vjet më parë, gjatë periudhës Kretake, në një kohë kur dinozaurët ende dominonin Tokën.
Fosili u gjet në një koleksion të Muzeut të Zoologjisë në Universitetin e São Paulos nga kërkuesi Anderson Lepeco, i cili e cilësoi zbulimin si “të jashtëzakonshëm”. Insekti i fosilizuar, i ruajtur në një shkëmb gëlqeror në verilindje të Brazilit, i përkiste një grupi të quajtur milingona ferri, që nuk kanë lidhje me milingonat moderne.
Specia e re, e emërtuar Vulcanidris cratensis, kishte nofulla të ngjashme me një drapër, të cilat ndoshta i përdorte për të kapur ose shpuar prenë. Kjo mënyrë gjuetie është shumë ndryshe nga ajo e milingonave të sotme, që përdorin nofullat për të kapur anash.
Fosile të tilla zakonisht gjenden në qelibar, jo në gur. Deri më tani, hell ants ishin gjetur vetëm në qelibar nga Mianmari dhe Franca, dhe datonin rreth 99 milionë vjet më parë. Prania e kësaj milingone në Brazil sugjeron se ato ishin të shpërndara nëpër botë më herët nga sa mendohej.
Zbulimi jo vetëm që shënon milingonën më të vjetër të njohur, por edhe ndihmon shkencëtarët të kuptojnë më mirë evolucionin e hershëm të këtyre insekteve dhe arsyet pse disa prej tipareve të tyre anatomike nuk mbijetuan deri në ditët e sotme. (A2 Televizion)