Një re molekulare e padukshme, e cila mund të ndihmojë në kuptimin e mënyrës se si formohen yjet dhe planetët, është zbuluar papritur shumë afër Tokës, raportoi CNN.
Reja e gazit, e quajtur Eos sipas perëndeshës së agimit në mitologjinë greke, është aq e madhe sa do të mbulonte një sipërfaqe sa 40 herë madhësia e hënës nëse do të ishte e dukshme me sy të lirë. Studiuesit raportojnë se ajo ka një masë rreth 3.400 herë më të madhe se ajo e diellit, sipas një studimi të publikuar të hënën në revistën Nature Astronomy.
“Në astronomi, të shohësh të padukshmen zakonisht nënkupton të shikosh më thellë me teleskopë gjithnjë e më të ndjeshëm,” tha bashkautori i studimit, Thomas Haworth, astrofizikan në Queen Mary University of London. “Por kjo re ishte në oborrin tonë kozmik, dhe thjesht na kishte shpëtuar nga sytë.”
Reja Eos nuk u zbulua më herët sepse përmban shumë pak monoksid karboni – molekulën që zakonisht përdoret për të identifikuar re molekulare – dhe për pasojë nuk emeton dritën karakteristike që teleskopët tanë e kapin lehtë. Çelësi i zbulimit ishte kërkimi i dritës ultravjollcë të lëshuar nga hidrogjeni në këtë re.
“Arsyeja pse ia dolëm ta kapnim këtë herë është sepse pamë me një ‘ngjyrë’ tjetër drite,” shtoi Haworth.
Zbulimi i Eos u bë duke analizuar të dhëna të reja nga spektrografi i dritës ultraviolet FIMS-SPEAR, një instrument në satelitin korean STSAT-1.
Sipas Blakesley Burkhart, autore kryesore e studimit dhe pedagoge në Universitetin Rutgers, ky është "molekuli i parë i zbuluar ndonjëherë duke përdorur direkt emetimin ultravjollcë të hidrogjenit molekular."
“Kjo re po ndriçon në errësirë,” tha Burkhart për CNN. "Afërsia e saj me Tokën na jep një mundësi të rrallë për të studiuar nga afër se si pluhuri dhe gazi ndëryjor transformohen në yje dhe planetë."
Astronomët besonin se e kishin hartuar mirë hapësirën brenda një distance prej 1.600 vite drite nga Dielli. Megjithatë, Eos ndodhet 300 vite drite larg – më afër se çdo re tjetër molekulare e njohur deri tani.
“Është e çuditshme të zbulosh diçka kaq të madhe kaq afër nesh që nuk e kishim parë më parë,” tha për CNN Melissa McClure, asistente profesore në Universitetin e Leiden në Holandë.
CNN vlerëson se ky zbulim i ri hap perspektiva të reja për të kuptuar proceset themelore të formimit të galaktikave, yjeve dhe planetëve. (A2 Televizion)