Një studim i fundit ka zbuluar një fenomen shqetësues në Arktik: formimi i 35 ishujve të rinj dhe mbi 2,500 kilometra vijë bregdetare si pasojë e shkrirjes së akullnajave. Studiues ndërkombëtarë analizuan pamje satelitore të mbi 1,700 akullnajave në Groenlandë, Alaskë, Arktikun Kanadez, Rusi, Islandë dhe Svalbard. Ky ndryshim i shpejtë gjeografik po rrezikon komunitetet bregdetare dhe po ndikon rëndë në ekuilibrin klimatik global.
Gjatë dy dekadave të para të shekullit XXI, rreth 85% e akullnajave që derdhen në det janë tërhequr ndjeshëm, duke krijuar tokë të re dhe bregdet të ri çdo vit. Vetëm midis viteve 2000 dhe 2020 janë zbuluar mesatarisht 123 kilometra vijë bregdetare çdo vit. Pjesa më e madhe e këtij transformimi është regjistruar në Groenlandë, ku akullnaja Zachariae Isstrom ka krijuar 81 kilometra vijë bregdetare të re, më shumë se çdo akullnajë tjetër në hemisferën veriore, shkruan A2 CNN.
Megjithëse formimi i ishujve të rinj mund të duket interesant, studiuesit paralajmërojnë për rreziqe serioze. Këto toka të reja janë të paqëndrueshme dhe të rrezikuara nga rrëshqitjet e dheut, të cilat mund të shkaktojnë tsunami shkatërruese, shkruan a2. Një ngjarje tragjike ndodhi në vitin 2017 në Groenlandë, kur një rrëshqitje dheu krijoi një tsunami me dallgë deri në 100 metra. Pasojat ishin fatale: katër të vdekur, nëntë të plagosur dhe një fshat i tërë u braktis.
Studimi, i botuar në revistën Nature, tregon se Arktiku po ngrohet katër herë më shpejt se pjesa tjetër e planetit. Kjo përshpejton tërheqjen e akullnajave, duke rritur nivelin e detit dhe rrezikuar qytete bregdetare në mbarë botën. Humbja e akullnajave ndikon gjithashtu në burimet e ujit të pijshëm dhe sigurinë ushqimore për mbi 2 miliardë njerëz që varen nga uji i shkrirë për bujqësi. (A2 Televizion)