
Një valë e paparë shiu goditi Vietnamin qendror këtë javë, duke shkaktuar përmbytje historike. Numri i të vdekurve dhe i të zhdukurve është rritur në të paktën 52, dhe dëmet vlerësohen në mbi 100 milionë dollarë. Provincat më të goditura janë Dak Lak, në malësitë qendrore dhe Khanh Hoa në bregdet, shkruan A2 CNN.
Më shumë se 68,000 shtëpi janë të përmbytura, më shumë se gjysma e tyre në Dak Lak, dhe mbi 70,000 njerëz janë evakuuar tashmë.

Bujqësia ka pësuar humbje të mëdha, me 15,000 hektarë oriz dhe kultura të tjera të shkatërruara, dhe mijëra bagëti të vrarë ose të zhdukur, përcjell A2 CNN.
Rrjeti rrugor është dëmtuar rëndë, me rrëshqitje të shumta toke, veçanërisht në kalimet malore, si dhe transportin hekurudhor dhe ajror.
Shirat e rrëmbyeshëm do të vazhdojnë në provincat nga Da Nang në Khanh Hoa, duke ruajtur kërcënimin e përmbytjeve të shpejta dhe të menjëhershme, rrëshqitjeve të dheut dhe dëmeve të mëtejshme.

Qeveria vietnameze ka mobilizuar forcat e saj ushtarake dhe të Mbrojtjes Civile për operacionet e ndihmës dhe shpërndarjen e furnizimeve me ndihma. Është aktivizuar edhe bashkëpunimi ndërkombëtar: UNICEF, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin dhe Bashkimi Evropian kanë njoftuar se do të dërgojnë ndihmë për komunitetet e prekura. (A2 Televizion)
