Një trajtim eksperimental me një përzierje antitrupash ka treguar efikasitet të gjerë kundër disa formave të rënda të gripit, duke ofruar shpresë për zhvillimin e një terapie universale që mund të mbrojë grupet më të rrezikuara. Rezultatet premtuese u publikuan së fundmi në revistën “Science Advances”.
"Kokteji" i gripit përmban tre antitrupa që synojnë një proteinë në virusin e gripit A në një rajon të quajtur M2e, i cili është thelbësor që patogjeni të replikohet. Kjo pjesë e virusit mbetet praktikisht e pandryshuar në të gjitha llojet.
Në eksperimentet te minjtë, përzierja ka siguruar mbrojtje ndaj tre nëntipeve të gripit A: H1N1, përfshirë llojin që shkaktoi pandeminë e vitit 2009; H5N1, që po përhapet te shpendët dhe disa gjitarë në SHBA; dhe H7N9, një virus i rrezikshëm që mund të infektojë njerëzit. Antitrupat ulën ashpërsinë e sëmundjes, reduktuan përhapjen e virusit në mushkëri dhe rritën mbijetesën, madje edhe te kafshët me sistem imunitar të dobësuar.
Ndryshe nga vaksinat tradicionale, të cilat stimulojnë prodhimin e antitrupave neutralizues dhe përditësohen çdo sezon për shkak të mutacioneve të shpeshta të virusit, ky trajtim përdor antitrupa jo-neutralizues. Ata nuk bllokojnë infektimin në mënyrë të drejtpërdrejtë, por nxisin një përgjigje të fuqishme të sistemit imunitar duke tërhequr qeliza mbrojtëse në vendin e infeksionit.
Edhe 24 ditë pas administrimit, viruset nuk kishin zhvilluar mutacione për t’i shmangur antitrupat – gjë që tregon qëndrueshmëri të trajtimit ndaj ndryshimeve gjenetike të virusit.
Ky është trajtimi i parë antiviral që tregon një efikasitet kaq të gjerë ndaj gripit. Hapat e ardhshëm do të përfshijnë testime te njerëzit për të vërtetuar efektin mbrojtës, por studimi përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt një terapie universale kundër gripit, që mund të përdoret krahas vaksinave, sidomos për të mbrojtur të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike. (A2 Televizion)