Aktori i famshëm japonez ndahet nga jeta në moshën 75-vjeçare

Nga A2 CNN
5 Dhjetor 2025, 11:37 | Showbiz

Aktori i famshëm japonez ndahet nga jeta në moshën

Aktori i njohur japonezo-amerikan Cary-Hiroyuki Tagawa, i cili u bë ikonë për publikun me rolin e magjistarit të errët Shang Tsung në filmin “Mortal Kombat” të vitit 1995, ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga familja e tij, e cila bëri të ditur se aktori ndërroi jetë të enjten në Santa Barbara, i rrethuar nga fëmijët, si pasojë e komplikimeve nga një goditje në tru, përcjell A2 CNN.

Tagawa lindi në Tokio, nga një nënë aktore e skenës Takarazuka dhe një baba ushtarak japonezo-amerikan që shërbente në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara. Qysh i vogël u transferua në SHBA, ku u ekspozua ndaj kulturave të ndryshme dhe u trajnuar në arte marciale, një pasion që e shoqëroi gjatë gjithë jetës.

Hapat e tij të parë në kinemanë hollivudiane i hodhi në vitet ’80, fillimisht me një rol të vogël në komedinë e John Carpenter, “Big Trouble in Little China”. Por fama erdhi me interpretimin e tij në “The Last Emperor” të Bernardo Bertolucci-t, ku luajti rolin e eunukut Chang. Ky sukses i hapi dyert për role të tjera të rëndësishme, si në “License to Kill”, “Rising Sun”, “Pearl Harbor”, “Memoirs of a Geisha” dhe serialin e Amazon “The Man in the High Castle”.

Roli i Shang Tsung mbetet ndoshta më i paharrueshmi për fansat. Tagawa fitoi menjëherë ekipin krijues duke u paraqitur në audicion me kostum të plotë dhe energji mbresëlënëse, që e bëri personazhin të jetojë për dekada në film, seriale dhe videolojëra.

Ai ishte i martuar me bashkëshorten e tij, Sally, me të cilën kishte tre fëmijë. Në vitet e fundit ai u konvertua në besimin ortodoks dhe fitoi edhe shtetësinë ruse.

Cary-Hiroyuki Tagawa do të mbahet mend si një aktor karizmatik, me një karrierë të gjatë dhe të larmishme, që la gjurmë të pashlyeshme në kinemanë botërore. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos