Dua Lipa ka mohuar raportimet mediatike se ajo ka pushuar nga puna një prej agjentëve të saj, pas përpjekjeve të tij për të ndaluar pjesëmarrjen e grupit irlandez Kneecap në festivalin Glastonbury.
Sipas medias britanike Mail Online, Lipa dyshohej se ishte ndarë nga përfaqësuesi David Levy, pasi ky i fundit kishte nënshkruar një letër drejtuar organizatores së festivalit, Emily Eavis, ku kërkohej që grupi të hiqej nga lista për shkak të qëndrimeve të tyre pro-palestineze.
Megjithatë, si vetë Lipa, ashtu edhe agjencia që e përfaqëson, ËME, e quajtën këtë lajm “plotësisht të pavërtetë”, duke sqaruar se Levy nuk punon me këngëtaren që prej vitit 2019.
Në një deklaratë të publikuar në Instagram Story, Dua Lipa theksoi se nuk mbështet përpjekjet e Levy-t apo të drejtuesve të tjerë të industrisë muzikore për të heshtur një artist. Por, ajo kritikoi rëndë Daily Mail për mënyrën se si e trajtoi ngjarjen.
“Historia jo vetëm që ishte e rreme, por gjuha e përdorur nga Daily Mail ishte qartësisht nxitëse dhe e krijuar vetëm për klikime, për të ushqyer ndarjen online. Gjithmonë jam për “Liri për Palestinën”, por shfrytëzimi i një tragjedie globale për të shitur gazeta është thellësisht shqetësues”, shkroi artistja shqiptare.
Në një reagim për BBC-në, ËME përsëriti se raportimet janë të pavërteta, duke shtuar se Levy ka qenë pjesë e karrierës së hershme të Dua Lipës, por së fundmi ka kaluar në projekte të tjera. Mail Online ndërkohë e ka përditësuar artikullin, duke korrigjuar gjithashtu një gabim ku e cilësonte Levy-n si menaxher të këngëtares. Prej vitit 2022, menaxher i saj është babai, Dukagjin Lipa. (A2 Televizion)