
Marc Marquez me Ducati ka fituar garën Sprint të MotoGP në Indonezi, duke u rikthyer në krye të renditjes së kampionatit botëror. Piloti spanjoll përfundoi përpara japonezit Ai Ogura me Aprilia dhe italianit Fabio Di Giannantonio me Ducati.
Gara nisi me një episod të diskutueshëm që në kthesën e parë. Marquez bëri një parakalim shumë agresiv ndaj Raul Fernandez dhe Marco Bezzecchit, duke shkaktuar një situatë që përfundoi me rrëzimin e të dy pilotëve dhe tërheqjen e tyre nga gara.
Pas incidentit, Jorge Martin mori kryesimin dhe dukej se ishte në rrugën drejt fitores. Megjithatë, problemet me presionin e gomave e penalizuan spanjollin në xhirot e fundit, duke i dhënë mundësinë Marquezit të kalonte në vendin e parë, shkruan A2.
Në xhiron e parafundit, Martin humbi edhe pozicionet në podium, pasi Ai Ogura dhe Fabio Di Giannantonio përfituan nga vështirësitë e tij për të siguruar përkatësisht vendin e dytë dhe të tretë.
Marquez e mbylli garën në vendin e parë, duke siguruar një fitore të rëndësishme në luftën për titullin botëror. Jorge Martin u rendit i katërti, ndërsa dhjetëshen e parë e plotësuan Alex Marquez, Pedro Acosta, Fermin Aldeguer, Francesco Bagnaia, Fabio Quartararo dhe Alex Rins. (A2 Televizion)