
Bota e filmit dhe televizionit është tronditur nga lajmi i ndarjes nga jeta të aktores së njohur Catherine O’Hara, e cila u shua në moshën 71-vjeçare. Ikona e komedisë, e dashur për rolet e saj në Schitt’s Creek, Home Alone, Best in Show dhe Beetlejuice, ka ndërruar jetë të premten në mëngjes, sipas burimeve të afërta për TMZ. Shkaku i vdekjes nuk është bërë ende publik.
Një zëdhënës i Departamentit të Zjarrfikëses së Los Angeles konfirmoi për Daily Mail: “Në orën 4:48 të mëngjesit iu përgjigjëm një thirrjeje për ndihmë mjekësore dhe transportuam një grua rreth 70 vjeç në gjendje serioze.”
O’Hara lë pas bashkëshortin e saj prej më shumë se 30 vitesh, Bo Welch, si dhe dy djemtë, Matthew dhe Luke. Paraqitja e saj e fundit publike ishte në ceremoninë e Emmy-t në shtator, ku u shfaq e dobësuar në tapetin e kuq, shkruan A2 CNN.
Aktorja u bë një emër i njohur botërisht si nëna e Kevin McCallister në dy filmat e parë Home Alone, “I vetëm në Shtëpi”, ndërsa kulmin e karrierës e arriti me rolin e Moira Rose në serialin Schitt’s Creek, duke fituar një çmim Emmy në vitin 2020. (A2 Televizion)