Sulmoi një shofer taksie, arrestohet aktori i njohur

Nga A2 CNN
14 Janar 2026, 06:56 | Showbiz

Sulmoi një shofer taksie, arrestohet aktori i njohur

Aktori i njohur kanadez Kiefer Sutherland, ylli i serialit televiziv “24 orë”, është arrestuar nga policia në Los Anxhelos pasi dyshohet se ka sulmuar dhe kërcënuar një shofer taksie private.

Sipas Departamentit të Policisë së Los Angelesit (LAPD), incidenti ka ndodhur rreth orës 00:15 të natës mes të dielës dhe të hënës, në kryqëzimin e Sunset Boulevard me Fairfax Avenue, në zonën e Hollivudit. Oficerët iu përgjigjën një telefonate për një sulm që përfshinte një shofer shërbimi transporti, shkruan A2 CNN.

Policia bëri të ditur se Sutherland hyri në automjet, sulmoi fizikisht shoferin dhe bëri kërcënime kriminale ndaj tij. Mediat raportojnë se drejtuesi i taksisë nuk ka pësuar lëndime.

Aktori 59-vjeçar, u lirua disa orë më vonë pasi pagoi një garanci prej 50 mijë dollarësh dhe pritet të paraqitet në gjykatë më 2 shkurt. Rasti është ende nën hetim nga Divizioni i Hollivudit i LAPD-së, përcjell A2 CNN.

Kiefer Sutherland njihet gjerësisht për rolin e agjentit Jack Bauer në serialin “24 orë” dhe për rolin e presidentit të SHBA-së në “Designated Survivor”. Ai është djali i aktorit të ndjerë Donald Sutherland.

Aktori ka pasur edhe më parë probleme me ligjin. Në vitin 2007 u dënua me 48 ditë burg për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit, ndërsa në vitin 2009 u arrestua për sulm, por akuzat u rrëzuan. Arrestimi i fundit para këtij rasti ishte në vitin 2020, për një shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos