
Kenneth Iwamasa, asistenti personal i yllit të serialit “Friends”, Matthew Perry, është dënuar me 3 vjet e 5 muaj burg nga një gjykatë federale në Los Anxhelos. Gjykatësja Sherilyn Peace Garnett dha vendimin të mërkurën, duke shtuar edhe dy vite shërbim prove si dhe një gjobë prej 10 000 dollarësh.
Ky është dënimi i pestë dhe i fundit në kuadër të hetimit 2,5-vjeçar që pasoi vdekjen e aktorit në tetor të vitit 2023. Iwamasa, 60 vjeç, pati një rol kryesor në varësinë e Perry-t dhe pranoi fajësinë për shpërndarjen e ketaminës, që shkaktoi vdekjen e aktorit, shkruan A2 CNN.
Sipas marrëveshjes me prokurorinë, Iwamasa shërbente si menaxher, korrier droge dhe mjek “de facto” i aktorit. Në ditët e fundit të jetës së Perry-t, ai i injektonte atij ketaminë 6 deri në 8 herë në ditë. Më 28 tetor 2023, pasi i bëri dozën e fundit fatale, asistenti u largua për të kryer disa punë dhe kur u kthye, e gjeti 54-vjeçarin të pajetë në xhakuzi.
Mbrojtja argumentoi se Iwamasa thjesht po i bënte qejfin shefit të tij fuqiplotë, por gjykatësja e ndërpreu avokatin duke thënë: “Ai mund të thoshte jo”.
Familja e Perry-t u shpreh e tronditur nga tradhtia e asistentit, të cilin e paguanin 150 000 dollarë në vit për t’i qëndruar pranë aktorit në luftën kundër varësisë. “Ne i besuam një njeriu pa ndërgjegje”, shkroi nëna e Perry-t, Suzanne Morrison.
Për këtë çështje janë dënuar edhe bashkëpunëtorët e tjerë të aktorit, Jasveen Sangha ("Mbretëresha e Ketaminës") u dënua me 15 vjet burg, Dr. Salvador Plasencia (mjeku që i siguroi dozat) u dënua me 2.5 vjet burg dhe Erik Fleming (ndërmjetësi) u dënua me 2 vjet burg. (A2 Televizion)