
Dua Lipa padit gjigantin teknologjik koreano-jugor Samsung në një gjykatë amerikane, duke kërkuar 15 milionë dollarë dëmshpërblim për përdorimin e paautorizuar të imazhit të saj.
Padia lidhet me përdorimin e një fotografie të këngëtares britanike në kutitë e televizorëve Samsung të shitur në të gjithë Shtetet e Bashkuara, sipas dokumenteve ligjore të depozituara të premten në Gjykatën Federale të Distriktit Qendror të Kalifornisë, shkruan A2 CNN.
Në dokumentet e padisë thuhet se fituesja e çmimit Grammy Awards nuk ka hyrë në asnjë marrëveshje me Samsung për t’i lejuar kompanisë përdorimin e imazhit të saj, por kutitë e televizorëve krijonin përshtypjen sikur ajo kishte dhënë miratimin e saj. Sipas padisë, kjo i ka lejuar kompanisë të “përfitonte duke kapitalizuar lidhjen e rreme të nënkuptuar me zonjën Lipa si sponsore e televizorëve Samsung të tregtuar masivisht”.
“Zonja Lipa e ngre këtë padi kundër Samsung për shkelje të të drejtave të autorit, shkelje të markës tregtare dhe cenim të së drejtës së saj mbi imazhin publik, me qëllim që të marrë dëmshpërblim për shfrytëzimin masiv, të vazhdueshëm dhe të paautorizuar të figurës dhe imazhit të saj në kutitë kartonike të televizorëve”, thuhet në dokument. “Zonja Lipa zotëron të drejta shumë të vlefshme autoriale, tregtare dhe publicitare mbi emrin, imazhin dhe figurën e saj, përfshirë fotografinë që Samsung ka përdorur pa autorizim”.
Sipas padisë, avokatët e Lipës pretendojnë gjithashtu se “Samsung ka refuzuar t’u bindet kërkesave të përsëritura të zonjës Lipa për të ndaluar menjëherë përdorimin e imazhit të saj” në paketim. Lipa kërkon të paktën 15 milionë dollarë dëmshpërblim. Të hënën, një zëdhënës i Samsung i tha CNN: “Duke qenë se procedurat ligjore janë ende në vazhdim, nuk jemi në pozicion për të komentuar në këtë moment”. (A2 Televizion)