Aktorja akuzon Katy Perryn për ngacmim seksual

Nga A2 CNN
16 Prill 2026, 12:48 | Showbiz

Aktorja akuzon Katy Perryn për ngacmim seksual

Autoritetet australiane kanë njoftuar se kanë nisur një hetim për një incident të vitit 2010 që përfshin aktoren e serialit Orange Is the New Black, Ruby Rose. Në fillim të kësaj jave, ajo akuzoi këngëtaren Katy Perry për sulm seksual në rrjetet sociale.

Akuza lidhet me një incident që, sipas Rose, ka ndodhur në një klub nate në Melburn në vitin 2010, gjë që Perry e ka mohuar. Policia e Victorias konfirmoi për CNN në një deklaratë se zyrtarët nga Njësia për Hetimin e Krimeve Seksuale dhe Abuzimit me Fëmijët në Melburn (SOCIT) po hetojnë pretendimin e Rose, që dyshohet se ka ndodhur në zonën qendrore të biznesit të qytetit. Ata refuzuan të japin detaje të tjera pasi hetimi është në vazhdim.

Perry i ka mohuar akuzat përmes përfaqësuesit të saj, i cili tha për CNN përpara se të njoftohej hetimi se pretendimet e Rose janë “plotësisht të pavërteta” dhe “gënjeshtra të rrezikshme dhe të pamenduara”. Përfaqësuesi nuk i është përgjigjur një kërkese për koment pas nisjes së hetimit.

Ndërkohë, një përfaqësues i Rose nuk iu është përgjigjur kërkesave të shumta të CNN për koment. Rose bëri fillimisht akuzën më herët këtë javë në rrjetet sociale, duke iu përgjigjur një artikulli për Perry të publikuar nga Complex. Artikulli kishte një ton të lehtë dhe trajtonte reagimin viral të Perry ndaj performancës së Justin Bieber në festivalin Coachella, ku ajo mori pjesë së bashku me ish-kryeministrin kanadez Justin Trudeau, me të cilin është përfolur për një lidhje romantike që prej vitit të kaluar.

“Katy Perry më ka sulmuar seksualisht në klubin Spice Market në Melburn. Kujt i intereson çfarë mendon ajo”, shkroi Rose në postimin që më pas u fshi.

CNN ka kontaktuar edhe përfaqësues të Trudeau për koment. Fillimisht, Rose kishte shkruar në rrjetet sociale se “nuk ishte e interesuar” të bënte kallëzim në polici për këtë çështje. Megjithatë, të martën ajo tha se kishte vendosur të bënte një kallëzim dhe nuk mund të fliste më publikisht për këtë çështje.

Perry publikoi albumin e saj të shtatë në studio, 143, në vitin 2024 dhe më pas nisi një turne botëror, i cili përfundoi në dhjetor. Në prill 2025, Perry ishte ndër gjashtë gratë, përfshirë Gayle King dhe Lauren Sánchez, që udhëtuan me kompaninë Blue Origin të Jeff Bezos, e cila i çoi ato në kufirin e hapësirës gjatë një misioni turistik 10-minutësh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos