Aktori amerikan James Earl Jones, i njohur më së shumti për zërin e antagonistit të filmave Star Wars, Darth Vader, ka vdekur në moshën 93-vjeçare.
Jones ka luajtur në shumë filma hollivudianë, si “Field of Dreams”, “Coming To America”, “Conan the Barbarian” dhe “The Lion King”, shkruan A2 CNN.
Gjatë karrierës së tij ai fitoi 3 Çmime Tony, 2 Emmy dhe 1 Grammy, si dhe një Çmim Oscar në vitin 2011 për karrierën.
Në vitin 1971, ai u bë i dyti aktor me ngjyrë që emërohej për Oscar si aktori më i mirë protagonist, pas Sidney Poitier.
I lindur në Misisipi në janar 1931, Jones pati rrëfyer se e kishte të pamundur të fliste gjatë fëmijërisë për shkak se belbëzonte. Ai shpjegoi se duke punuar për të zgjidhur këtë problem arriti të formonte edhe zërin karakteristik që e shoqëroi gjatë gjithë karrierës, shkruan A2 CNN.
Edhe pse mbahet mend më shumë për zërin e Darth Vader, Jones ka thënë se për atë rol në filmin e parë ka fituar vetëm 9000 dollarë.
Ai gjithashtu ka luajtur edhe në teatër, duke portretizuar disa nga personazhet më të famshëm shekspirianë, si Otellon dhe Mbretin Lir. (A2 Televizion)