Një viktimë dhe një i plagosur, atentat me tritol para policisë në Gjirokastër

Nga Rigels Malile dhe Gazmend Janku
11 Tetor 2026, 10:04 | Kronikë

Gjirokastra është tronditur mbrëmjen e së shtunës teksa në rrugën kryesore para drejtorisë së policisë, një automjet ka shpërthyer në ecje e sipër pas aktivizimit në distancë të një lëndë plasëse e dyshuar tritol.

Një ngjarje që gjirokastritët nuk e mbajnë mend të ketë ndodhur më parë, ndërsa si pasojë e këtij shpërthimi ka mbetur i vdekur shtetasi Beqir Devolli, që drejtonte dhe kishte në pronësi mjetin ndërsa është plagosur dhe fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën është edhe shoku i tij Rigels Mela.

Përveç panikut të shkaktuar policia ka nisur hetimet duke verifikuar të kaluarën e dy personave që ishin në mjet, të cilët të paktën në letra nuk kanë patur precedent të mëparshëm penal.

Sipas të dhënave paraprake edhe të grupit të ekspertëve kriminalistikë që kanë ardhur nga Tirana, dyshohet se lënda plasëse ishte vendosur brenda kabinës së mjetit dhe mund të jetë aktivizuar në distancë nga persona që mund të kenë ndjekur lëvizjen e mjetit.

Ende nuk dihet nëse shpërthimi pikërisht para drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës ka qenë i paramenduar apo rastësi.

Të plagosurit Rigels Mela para disa kohës i është djegur një automjet në lagjen Dunavat, në pjesën e sipërme qytetit, por ende nuk ka të dhëna të konfirmuara si për motivet dhe aq më pak për autorët e këtij atentati të paramenduar, të mirëmenduar dhe që dyshohet që të jetë kryer edhe nga persona me pagesë.

Gjithashtu policia ka nisur edhe verifikimin e kamerave të sigurisë për të parë vendet ku ka qenë mjeti që shpërtheu dhe vëzhgimin e zonës me qëllim për të identifikuar personat që mund të kenë aktivizuar në distancë lëndën shpërthyese. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos