
Një 29-vjeçar i cili transportonte me automjet një armë zjarri pistoletë me qëllim trafikimin e saj, është arrestuar në Kamëz. Ndaj 29-vjeçarit të dënuar më parë për trafikim të mjeteve motorike, ka nisur një hetim pasuror.
“Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjahu me 50 fishekë, 1 automjet, 1 celular dhe 1 bllok shënimesh. Forca e Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas qarkullonte me armë zjarri në automjet, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “LAST DRIVE II”. Gjatë operacionit u arrestua shtetasi E. C., 29 vjeç, banues në Krujë, i dënuar më parë për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike” ”, thuhet në njoftim.
“Gjatë kontrollit të automjetit që drejtonte 29-vjeçari, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua së bashku me automjetin dhe 1 celular. Në vijim, gjatë kontrollit të banesës së tij, u gjet dhe u sekuestrua 1 armë gjahu pa leje, së bashku me 50 fishekë. Gjithashtu, u sekuestrua 1 bllok shënimesh, në të cilin dyshohet se mbaheshin të dhëna për shuma të ndryshme parash. Në kuadër të hetimeve, ka nisur hetimi pasuror ndaj tij”, vijon njoftimi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit” dhe “Fshehja e të ardhurave”. (A2 Televizion)