
Bashkimi Europian ka gjobitur kompaninë Google me 890 milionë euro (rreth 1 miliard dollarë), pasi konstatoi se gjiganti i teknologjisë ka shkelur rregullat e konkurrencës të parashikuara nga Akti për Tregjet Digjitale, shkruan A2 CNN. Kjo është hera e parë që Google ndëshkohet sipas kësaj legjislacioni të ri europian.
Komisioni Europian njoftoi se Google ka favorizuar shërbimet e veta në motorin e kërkimit Google Search, duke u dhënë përparësi platformave të kompanisë, si ato për blerje dhe transport, në dëm të shërbimeve rivale. Për këtë shkelje, kompania u gjobit me 460 milionë euro.
Një gjobë e dytë, prej 430 milionë eurosh, lidhet me mënyrën se si funksionon dyqani i aplikacioneve Google Play. Sipas Komisionit Europian, Google ka kufizuar zhvilluesit e aplikacioneve që të informojnë ose t'u ofrojnë përdoruesve alternativa më të lira blerjeje jashtë platformës së saj.
Komisioni bëri të ditur se në përcaktimin e shumës së gjobave janë marrë në konsideratë rëndësia e shkeljeve dhe kohëzgjatja e mosrespektimit të rregullave nga kompania.
“Konstatuam se Google dëmton bizneset që ofrojnë shërbime të ngjashme, si ato të blerjeve apo sportit, duke mos u dhënë të njëjtin nivel dukshmërie në Google Search”, deklaroi Henna Virkkunen, komisionerja europiane përgjegjëse për sovranitetin teknologjik.
Ajo shtoi gjithashtu se Google ka penguar zhvilluesit e aplikacioneve të ofrojnë çmime më të ulëta për konsumatorët jashtë Google Play. (A2 Televizion)