Një gabim që kushtoi 100 milionë $! Shpërthen raketa Jeff Bezos, Elon Musk bën ironi

Nga A2 CNN
29 Maj 2026, 15:17 | Teknologji

Një test rutinë në bazën hapësinore Cape Canaveral në Florida është shndërruar në një makth financiar dhe teknologjik për kompaninë Blue Origin të miliarderit Jeff Bezos. Raketa gjigante “New Glenn”, me vlerë 100 milionë dollarë, ka shpërthyer duke shkatërruar plotësisht edhe platformën e lëshimit, shkruan A2 CNN.

Ngjarja ndodhi gjatë një testi statik të motorëve. Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar, por dëmet materiale janë kolosale. “Një ditë shumë e vështirë, por do të rindërtojmë çdo gjë që duhet dhe do t'i kthehemi fluturimit”, shkroi Bezos në rrjetin social X, duke shtuar se është ende herët për të përcaktuar shkakun e saktë të shpërthimit. Edhe rivali i tij, Elon Musk, reagoi me shprehjen latine: “Ad astra per aspera” (Drejt yjeve përmes vështirësive).

Kjo katastrofë pritet të ketë pasoja të rënda për planet e NASA-s dhe misionin e saj “Artemis” për krijimin e një baze të përhershme në Hënë. Blue Origin kishte fituar së fundmi kontratën për dërgimin e modulit hënor “Blue Moon Mark I” dhe pajisjeve shkencore, mision ky i planifikuar për t’u lëshuar brenda këtij viti, pikërisht me raketën e shkatërruar.

Administratori i NASA-s, Jared Isaacman, deklaroi se po monitorojnë situatën nga afër. “Fluturimet hapësinore janë të pamëshirshme. Do të punojmë me partnerët tanë për të hetuar këtë anomali dhe për të vlerësuar ndikimin në programet tona hënore”, tha ai.

Riparimi i platformës së lëshimit pritet të zgjasë me muaj, duke bërë që planet e afërta për dërgimin e satelitëve të Amazon-it dhe bashkëpunimi për misionin Artemis III vitin e ardhshëm të pësojnë shtyrje të pashmangshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos