Europa u shpall luftë rrjeteve sociale, rrezikohet përplasje me SHBA, ja masat që po marrin vendet

Nga Rosalba Bejdo
8 Prill 2026, 21:21 | Teknologji

Shtetet evropiane po rrisin presionin ndaj kompanive të rrjeteve sociale, duke reaguar ndaj shqetësimeve të publikut për sigurinë e fëmijëve, por duke rrezikuar një përplasje me Shtetet e Bashkuara, ku kanë bazën kompani si Facebook dhe platforma X e Elon Musk.

Spanja, të martën, urdhëroi prokurorët të hetojnë kompaninë Meta, X dhe TikTok për përhapjen e dyshuar të imazheve seksuale të fëmijëve të krijuara me inteligjencë artificiale, pas një veprimi të ngjashëm në Britani.

Irlanda gjithashtu hapi një hetim zyrtar ndaj chatbot-it të inteligjencës artificiale të X, Grok, për mënyrën si përpunon të dhënat personale dhe për prodhimin e imazheve seksuale të dëmshme.

Një numër në rritje vendesh evropiane, Franca, Spanja, Greqia, Danimarka, Sllovenia dhe Republika Çeke, në javët e fundit kanë ndjekur shembullin e Australisë duke propozuar ndalimin e rrjeteve sociale për adoleshentët, për shkak të shqetësimeve në rritje për varësinë, abuzimin online dhe rënien e performancës në shkollë.

Gjermania dhe Britania po shqyrtojnë masa të ngjashme.

Pedro Sanchez: “Fëmijët tanë sot janë të ekspozuar ndaj një hapësire që nuk ishte menduar kurrë ta përballonin të vetëm. Një hapësirë varësie, abuzimi, pornografie, manipulimi dhe dhune; këtë nuk do ta pranojmë më. Ne do t’i mbrojmë ata nga ‘Perëndimi i egër’ digjital.”

Këto veprime kombëtare pasqyrojnë urgjencë politike, por edhe zhgënjim me Bashkimin Evropian. Politikanë, këshilltarë dhe analistë thonë se qeveritë po veprojnë të vetme sepse dyshojnë se Brukseli do të veprojë mjaftueshëm shpejt ose fort, edhe pse shtetet individuale përballen me të njëjtat sfida ligjore, diplomatike dhe zbatuese si BE-ja.

Francesca Pisanu: “Ne e dimë që Komisioni Evropian po shqyrton mënyra për të vendosur masa të verifikimit të moshës, dhe kjo është shumë e rëndësishme, si dhe lidhet drejtpërdrejt me ndikimin e këtyre kufizimeve. Gjithashtu duhet të shohim edhe përfundimet nga Australia. Fatkeqësisht, ende nuk kemi rezultate përfundimtare. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se ky ndikim nuk do të shihet menjëherë. Po flasim për ndryshime shumë të rëndësishme shoqërore. Prandaj duhet të analizojmë edhe ndikimin afatgjatë. Kështu që është e vështirë të thuhet saktësisht se si do të zbatohet ky ndalim. Verifikimi i moshës është padyshim një komponent kyç. Legjislacioni i fortë për fëmijët që do të vazhdojnë të kenë akses është gjithashtu një pjesë e rëndësishme.”

Sipas Aktit të Shërbimeve Digjitale të BE-së, që hyri në fuqi në vitin 2024, platformat e mëdha mund të përballen me gjoba deri në 6% të xhiros globale vjetore nëse nuk arrijnë të kufizojnë përmbajtjen e paligjshme ose të dëmshme.

Por zbatimi i këtyre ndëshkimeve është politikisht i ndjeshëm. Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar vazhdimisht me tarifa dhe sanksione nëse vendet e BE-së vendosin taksa të reja teknologjike ose zbatojnë DSA-në në mënyra që dëmtojnë kompanitë amerikane.

Komisioni Evropian i hedh poshtë sugjerimet se është i butë ndaj gjigantëve amerikanë të teknologjisë, duke theksuar se ka hapur disa hetime, përfshirë edhe ndaj X dhe përdorimit të Grok.

“Përmes masave si DSA, BE po formëson të ardhmen digjitale të Evropës. Ajo po mbështet, financon dhe rregullon teknologjitë e reja me synimin për të forcuar demokracinë,” thuhet në një deklaratë.

Francesca Pisanu: “Të drejtat e fëmijëve janë një prioritet i madh për Bashkimin Evropian, dhe BE-ja tashmë ka një kuadër të fortë kur bëhet fjalë për mbrojtjen e tyre në mjedisin digjital. Në nivel të BE-së, kemi pasur GDPR (Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave), e cila mbron të dhënat e fëmijëve, dhe më pas në vitin 2022 u diskutua Akti i Shërbimeve Digjitale. Ky gjithashtu synon të sigurojë një nivel të lartë privatësie dhe sigurie për fëmijët. Prandaj nuk është aspak surprizë që BE-ja është shumë e shqetësuar për dëmet e mundshme të rrjeteve sociale tek fëmijët dhe që dëshiron të ndërmarrë hapa konkretë.”

Retorika ndonjëherë është përshkallëzuar. Presidenti francez Emmanuel Macron vitin e kaluar e quajti rezistencën amerikane ndaj rregullave evropiane një “betejë gjeopolitike”.

Emmanuel Macron: “Sepse truri i fëmijëve tanë nuk është për shitje. As për platformat amerikane, as për rrjetet kineze. Sepse ëndrrat e tyre nuk mund të diktohen nga algoritmet. Sepse ne nuk duam një brez me ankthe, por një brez që beson te Franca, te Republika dhe te vlerat e saj. Franca, një pioniere në rregullimin e platformave që nga viti 2018, vazhdon të udhëheqë edhe sot, duke u bërë vendi i parë në Evropë që angazhohet në këtë drejtim. Më 1 shtator, fëmijët dhe adoleshentët tanë më në fund do të jenë të mbrojtur…”

Administrata e Trump paralajmëroi në dhjetor se Evropa rrezikon “zhdukje civilizuese” dhe i bëri thirrje SHBA-së të nxisë “rezistencë ndaj drejtimit aktual të Evropës”.

Ministri spanjoll i të drejtave të konsumatorit, Pablo Bustinduy, tha se masa synon “të çlirohet nga varësia digjitale ndaj Shteteve të Bashkuara”, duke shtuar se disa platforma po përdoren për të “destabilizuar demokracitë evropiane nga brenda”.

Pse po shqyrtohen tani ndalimet?

Francesca Pisanu nga organizata Eurochild tha se “pikënisja” ishte Australia.

Australia miratoi një ligj më 28 nëntor 2024 për të ndaluar rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç, pas debatesh të forta, duke vendosur një standard që po ndiqet nga vende të tjera në përpjekjen globale për të kufizuar fuqinë e kompanive të mëdha teknologjike.

Anthony Albanese: “Kjo është diçka që ndryshon lojën. Është Australia që po tregon se ka ardhur koha të themi mjaft. Dhe bota, siç vërej, edhe disa organizata të mëdha globale mediatike që janë këtu, po e vëzhgon dhe po e ndjek shembullin tonë.”

Francesca Pisanu: “Pika e kthesës ishte padyshim e lidhur me ndalimin e rrjeteve sociale në Australi, sepse kjo e shtyu realisht diskutimin për këtë çështje. Ndoshta më parë nuk ishte marrë në konsideratë. Ajo që dimë është se në shtator 2025 kjo u përmend edhe në fjalimin për Gjendjen e Unionit. Ky është fjalimi që Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mban çdo shtator për të përcaktuar prioritetet e Komisionit Evropian. Dhe aty u bë një referencë e qartë për nevojën për të mbrojtur fëmijët, si dhe ajo theksoi se algoritmet nuk mund t’i rrisin fëmijët tanë.”

Sipas Pisanu, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen po kërkon këshilla nga ekspertë, ndërsa Parlamenti Evropian ka miratuar një raport që thekson shqetësimet për të drejtat e fëmijëve në mjedisin digjital dhe bën thirrje për ndalimin e rrjeteve sociale për ata nën 16 vjeç.

Francesca Pisanu: “Ursula von der Leyen foli për krijimin e një paneli ekspertësh. Dhe ne e dimë që tashmë janë emëruar persona për ta këshilluar atë nëse duhet të kufizohet përdorimi i rrjeteve sociale për fëmijët. Në të njëjtën kohë, Parlamenti Evropian miratoi një raport ku shprehen qartë shqetësimet për të drejtat e fëmijëve në mjedisin digjital dhe bëhet thirrje për ndalimin e aksesit në rrjetet sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç. Gjithashtu, në nivel kombëtar po diskutohen edhe opsione të tjera. Për shembull, në Danimarkë dhe Francë, dimë që ka përjashtime për ata nën 16 vjeç, nëse kanë pëlqimin e prindërve ose kujdestarëve.”

Në nivel kombëtar, Danimarka ka njoftuar ndalimin për fëmijët nën 15 vjeç (me përjashtime me lejen e prindërve deri në 13 vjeç), Franca ka miratuar një projektligj për ndalimin për të mitur nën 15 vjeç, ndërsa Spanja do të ndalojë aksesin për cilindo nën moshën 16 vjeç dhe do të kërkojë verifikim moshe nga platformat.

BE po shqyrton metoda për verifikimin e moshës, por përvojat nga Australia konsiderohen thelbësore për të vlerësuar ndikimin afatgjatë të këtyre ndalimeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos