![]()
Të gjithë i duan, askush nuk i shet. Konflikti i Gjirit ka nxjerrë edhe një herë në pah rolin e dronëve, protagonistët e padiskutueshëm të luftës moderne. Por më shumë se katër vite pas pushtimit të Ukrainës, që vulosi përfundimisht rëndësinë e tyre, vazhdon të ekzistojë një hendek i thellë mes kërkesës dhe ofertës. Arsyeja është e thjeshtë: sistemet low cost nuk tërheqin gjigantët amerikanë dhe europianë, të cilët synojnë platforma me marzhe fitimi shumë më të larta dhe shohin drejt avionëve pa pilot apo anijeve autonome të së ardhmes së afërt.
Perspektivat e një tregu në rritje të shpejtë
Perspektivat janë të jashtëzakonshme, vlerësohet se tregu i armatimeve autonome që operojnë në ajër, tokë dhe det do të kalojë nga mbi 47 miliardë dollarë vitin e kaluar, falë edhe shtysës së administratës Trump, në 98 miliardë deri në vitin 2033. Në botën e dronëve ajrorë, më të kërkuarit, ekziston një ndarje e qartë: “Brezi i Vjetër” dhe “Brezi i Ri”.
Nga “Grabitqari” e tutje
Që nga viti 2001, skenën e kanë dominuar avionët pa pilot të mëdhenj dhe të kushtueshëm. Prototipi ishte Predatori (Grabitqari), simbol i Luftës Globale kundër Terrorizmit, më pas i zëvendësuar nga Reaper-i (Korrësi). Për më shumë se një dekadë, versioni i armatosur me raketa ka qenë monopol amerikan. Prodhuesi është General Atomics, lider i sektorit me 3,2 miliardë dollarë të ardhura në vitin 2025.
Në gjurmët e tij hynë kompanitë izraelite, me Hermes-in e Elbit dhe Heron-in e IAI. Konkurrenca u shfaq në Turqi me Baykar, e themeluar nga Selçuk Bayraktar, dhëndri i Erdoganit: një “mrekulli teknologjike” që me TB2 është importuar në 36 vende, duke arritur rekordin për numrin e njësive të shitura.
Por këta dronë janë të shtrenjtë: rreth 30 milionë euro për një Reaper; një e treta për TB2 apo Heron, plus sistemet satelitore të drejtimit. Kalimi nga operacionet kundër grupeve xhihadiste në luftëra në shkallë të gjerë po i vë në krizë këto mjete, të ngadalta dhe lehtësisht të zbulueshme nga radarët. Gjatë ofensivës ndaj Iranit, Pentagoni humbi mbi njëzet të tillë, ndërsa Izraeli po aq: janë objektiva të lehta për raketat tokë-ajër.

“Brezi i Ri” i Ukrainës
“Brezi i Ri” lindi në fushëbetejat ukrainase, ku u zhvilluan kategori inovative. E para është ajo e dronëve kamikazë, të ngjashëm me bomba fluturuese. Rusët adoptuan dhe përmirësuan Shahed-in iranian: një shembull efikasiteti që përshkon deri në 2000 kilometra, është i vështirë për t’u zbuluar dhe godet me saktësi, me një kosto nën 25 mijë euro.
Edhe amerikanët e kanë kopjuar: modeli Lucas debutoi në sulmet kundër Trupave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit. Është prodhuar nga një kompani e vogël, SpektreWorks, që i dorëzon për rreth 35 mijë dollarë, një e qindta e çmimit të raketave Tomahawk.
Aleancat dhe startup-et
Ukrainasit kanë krijuar dhjetëra modele, të zhvilluara nga startup-e që u shumuan që nga vera e 2022. Sekreti i tyre është shpejtësia, projektojnë sipas nevojave të frontit dhe përditësojnë vazhdimisht mjetet.
Këto laboratorë janë rritur dhe kanë ndërtuar lidhje me kompani amerikane, sot qendra e një ideje të re për industrinë e mbrojtjes që synon të sfidojë dominimin e Lockheed Martin, Boeing dhe Raytheon.
Më dinamiku është Project Eagle, i krijuar nga ish-CEO i Google, Eric Schmidt. Më i njohuri është Anduril, i financuar dhe i lidhur me Palantir të Peter Thiel, me figurë publike Palmer Luckey. Ata janë përfaqësues të “Republikës Teknologjike”, koncept i përshkruar nga Alex Karp, që promovon një vizion politik të bazuar në supremacinë teknologjike të Silicon Valley.

Tre shtyllat e revolucionit
Ky revolucion mbështetet mbi tre shtylla:
1. Kohë të shkurtra nga kërkesa në zbatim, duke shmangur burokracitë.
2. Kosto të ulëta, falë përdorimit të komponentëve nga tregu civil.
3. Përdorim intensiv i inteligjencës artificiale.
Kompanitë kanë mbështetje të fortë financiare dhe nuk kanë nevojë të dalin në bursë. Ndërkohë, po ndërtojnë kapacitete industriale të konsiderueshme.
Së fundmi, përfaqësues të monarkive të Gjirit kanë kërkuar urgjentisht mijëra dronë anti-dron. Aktualisht, vetëm Anduril dhe Project Eagle duket se mund të përmbushin kërkesën: kjo e fundit ka dërguar tashmë 10 mijë Merops në Lindjen e Mesme për mbrojtjen e bazave amerikane.
Europa është vonë
“Europa nuk po arrin të përshtatet me ritmin e zhvillimit të sektorit”, thotë për “La Repubblica” Giuseppe Lacerenza i Keen Venture Partners. “Ministritë e Mbrojtjes mbeten të lidhura me plane shumëvjeçare dhe nuk reflektojnë ndryshimet e shpejta në luftë”.
Megjithatë, disa kompani po afirmohen, veçanërisht në Gjermani. Tytan ka marrë financime nga NATO dhe ka nisur konvertimin e impianteve të industrisë automobilistike për prodhimin e dronëve anti-dron.
Në këtë fushë po dalin në pah edhe estonezja Frankenburg dhe britanikja Cambridge Aerospace. Ndërsa në dronët e zbulimit spikasin Quantum Systems, DeltaQuad, Harmattan AI dhe Tekever.
Dronët e vegjël, jashtë industrisë së madhe
As këto kompani nuk prodhojnë “quadricopter”-ët e vegjël-bombë, të kudondodhur në Donbas. Ata ndërtohen me pjesë kineze ose me printerë 3D dhe kushtojnë 1-2 mijë euro. Arsyeja? Marzhe shumë të ulëta dhe një problem tjetër thelbësor, cikli i shpejtë i inovacionit. “Çdo gjashtë muaj këta dronë bëhen të vjetër”, shpjegon Lacerenza. Kjo krijon një paradoks, nuk porositen sepse do të vjetërohen shpejt dhe nuk prodhohen sepse nuk porositen. (A2 Televizion)