
Meta ka rënë dakord të paguajë rreth 18 miliardë dollarë për të zgjidhur një proces gjyqësor të ngritur nga 29 shtete amerikane, të cilat e akuzonin kompaninë se kishte krijuar qëllimisht platforma të varësisë që dëmtonin shëndetin mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve.
Marrëveshja, e cila i jep fund një prej betejave më të rëndësishme ligjore ndaj gjigantit të rrjeteve sociale, parashikon gjithashtu ndryshime të rëndësishme në mënyrën se si funksionojnë Facebook dhe Instagram për përdoruesit e mitur, përcjell A2 CNN.
Rreth 17 miliardë dollarë do t'u shkojnë shteteve që ngritën padinë në vitin 2023, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për zgjidhjen e pretendimeve të shteteve dhe territoreve të tjera. Fondet do të shërbejnë për financimin e programeve të sigurisë së të rinjve në internet.
Sipas marrëveshjes, adoleshentët nga 13 deri në 17 vjeç do të kenë një kufizim të përgjithshëm prej dy orësh përdorim në ditë në aplikacionet e Meta-s. Ky kufizim mund të ndryshohet vetëm nga prindërit. Kompania do t’u dërgojë gjithashtu adoleshentëve një njoftim pas çdo 15 minutash përdorimi të vazhdueshëm të Facebook ose Instagram.
Meta do të aktivizojë si parazgjedhje edhe një “modalitet nate”, që do të bllokojë përdorimin e aplikacioneve nga mesnata deri në orën 06:00, si dhe një “modalitet shkolle”, i cili synon të reduktojë njoftimet gjatë orarit mësimor.
Ndryshimet përfshijnë gjithashtu fshehjen e numrit të pëlqimeve dhe reagimeve në postimet e adoleshentëve, ndalimin e filtrave “ekstremë” të grimit për të miturit dhe mundësinë për të çaktivizuar luajtjen automatike të videove.

Adoleshentët do të mund të zgjedhin gjithashtu një mënyrë shfaqjeje të përmbajtjes që nuk bazohet në rekomandimet algoritmike të platformës.
Shtetet amerikane e kishin akuzuar Meta-n se kishte projektuar qëllimisht funksione si rrjedha e pafundme e përmbajtjes, rekomandimet algoritmike dhe njoftimet e shpeshta për t'i mbajtur fëmijët dhe adoleshentët sa më gjatë në aplikacione. Kompania u akuzua gjithashtu se kishte fshehur rreziqet e mundshme për të rinjtë dhe kishte mbledhur në mënyrë të paligjshme të dhëna nga fëmijët nën 13 vjeç pa pëlqimin e prindërve.
Meta nuk ka pranuar përgjegjësi për shkelje si pjesë e marrëveshjes. Kompania ka mohuar vazhdimisht se platformat e saj dëmtojnë fëmijët dhe ka argumentuar se ka investuar ndjeshëm në mekanizmat e sigurisë.
Marrëveshja u arrit pak më shumë se një javë pasi kishte nisur në Kaliforni një proces gjyqësor, ku katër nga shtetet paditëse kërkonin deri në 1,4 trilionë dollarë dëmshpërblim dhe ndryshime në platformat e kompanisë.
Meta do të paguajë 70% të shumës së marrëveshjes në këste vjetore gjatë dhjetë viteve të ardhshme. Pjesa tjetër prej 30% do të paguhet vetëm nëse YouTube dhe TikTok bien dakord të kontribuojnë financiarisht dhe të zbatojnë ndryshime të ngjashme në platformat e tyre.
Marrëveshja vjen pasi Meta ka humbur më herët dy çështje të rëndësishme lidhur me varësinë e të rinjve nga rrjetet sociale. Në një rast në New Mexico, kompania u urdhërua të paguante afro 1 miliard dollarë dëmshpërblim, ndërsa një tjetër proces i ngritur nga një adoleshent i identifikuar si K.G.M. përfundoi me 6 milionë dollarë dëmshpërblim të përbashkët ndaj Meta-s dhe YouTube.
Megjithatë, kompania përballet ende me qindra padi të tjera nga individë, familje dhe distrikte shkollore, të cilat pretendojnë se platformat e saj kanë krijuar varësi dhe kanë dëmtuar fëmijët.
Prokurori i Përgjithshëm i Karolinës së Veriut, Jeff Jackson, e cilësoi marrëveshjen si “më të madhen në histori me një kompani të teknologjisë” dhe tha se zgjidhja do të mundësojë ndryshime më të shpejta për sigurinë e fëmijëve.
Organizatat që merren me sigurinë e fëmijëve kërkojnë nga Kongresi amerikan miratimin e një ligji federal që t'i bëjë këto masa të detyrueshme për të gjitha platformat e rrjeteve sociale, jo vetëm për Meta-n. (A2 Televizion)