
Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP) zhvilloi një vizitë studimore në Portugali, ku zhvilloi një takim pune me drejtues të SPMS – Serviços Partilhados do Ministério da Saúde, institucioni qendror për prokurimet dhe teknologjinë e informacionit në sistemin shëndetësor portugez.
Administratorja e OBP, znj. Arlinda Pogaj dhe zyrtarë të tjerë të institucionit u takuan me drejtuesin e SPMS, z. Nuno Costa dhe ekipin e tij. Takimi u fokusua në prezantimin e modelit portugez të prokurimit të centralizuar në shëndetësi, i cili konsiderohet ndër më të avancuarit në Europë. SPMS, e krijuar në vitin 2010 dhe që operon nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Financave, ka ndërtuar një sistem të integruar ku teknologjia, të dhënat dhe standardizimi janë në thelb të funksionimit.

Gjatë vizitës, ekipi i OBP u njoh nga afër me disa prej praktikave kyçe të këtij modeli, përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale në mbështetje të proceseve vendimmarrëse, ndërtimin e databazave kombëtare për barna dhe pajisje mjekësore të integruara me sistemin e prokurimit, si dhe përdorimin e katalogëve elektronikë të standardizuar që mundësojnë procedura më të shpejta dhe transparente.
Një tjetër element i rëndësishëm ishte monitorimi në kohë reale i proceseve dhe kontratave, si dhe analiza e avancuar e të dhënave, të cilat kontribuojnë në rritjen e eficiencës, kontrollit dhe cilësisë në përdorimin e fondeve publike.
Ky model konfirmon se prokurimi shkon përtej procedurave tradicionale, duke u kthyer në një sistem të integruar që garanton transparencë, eficiencë dhe optimizim të burimeve në sektorë strategjikë si shëndetësia.
Vizita në Portugali përforcon angazhimin e OBP për të vijuar procesin e transformimit drejt një sistemi prokurimi të standardizuar, të digjitalizuar dhe të orientuar nga të dhënat, në përputhje me praktikat më të mira europiane. (A2 Televizion)