Një projekt pilot inovativ i quajtur SeaCURE ka nisur në bregun jugor të Anglisë, duke sjellë një qasje të re në luftën kundër ndryshimeve klimatike: thithjen e karbonit nga uji i detit. Ky projekt është i financuar nga qeveria britanike dhe është një nga 15 skemat eksperimentale që synojnë zhvillimin e teknologjive për kapjen dhe ruajtjen e gazeve serrë.
Ndërsa shkencëtarët janë të një mendjeje se reduktimi i emetimeve është prioriteti kryesor në luftën kundër ngrohjes globale, një pjesë e tyre beson se është gjithashtu e nevojshme të kapen edhe gazrat që tashmë janë liruar në atmosferë, shkruan A2 CNN. Teknologjitë ekzistuese përqendrohen në kapjen e karbonit direkt nga burimi apo nga ajri, por SeaCURE po teston një qasje ndryshe – thithjen e karbonit nga deti, ku përqendrimi i tij është rreth 150 herë më i madh sesa në atmosferë.
Vendndodhja e projektit është pranë qendrës Weymouth Sealife, ku një tub i gjatë nënujor tërheq ujë deti që më pas përpunohet për të larguar karbonin. Procesi përfshin acidifikimin e ujit për të kthyer karbonin e tretur në gaz CO₂, i cili më pas kapet dhe përqendrohet duke përdorur lëvozhga të djegura kokosi. Uji i trajtuar, tashmë me përmbajtje të ulët karboni, neutralizohet dhe kthehet në det, duke rifilluar ciklin e thithjes së karbonit nga atmosfera.
Aktualisht, ky projekt arrin të heqë rreth 100 tonë CO₂ në vit – sa afërsisht 100 fluturime transatlantike – por potenciali është shumë më i madh. Sipas shkencëtarëve, nëse kjo teknologji do të aplikohej në vetëm 1% të sipërfaqes së oqeanit, mund të hiqeshin deri në 14 miliardë tonë CO₂ në vit.
Megjithatë, një sfidë e madhe qëndron tek energjia e nevojshme për këtë proces, e cila do të duhej të vinte nga burime të rinovueshme për të qenë plotësisht e qëndrueshme, si për shembull instalime lundruese me panele diellore në det të hapur.
Ekspertët si Dr. Oliver Geden nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike theksojnë se largimi i karbonit është i domosdoshëm për të arritur objektivin e “emetimeve zero”. Sipas tij, SeaCURE është vetëm një nga shumë opsione që do të përcaktohen nga kostoja dhe ndikimi në mjedis. (A2 Televizion)