Arka e "luftës", miliarderi egjiptian i dhuron 5 mln paunde Konservatorëve për të mposhtur Laburistët

Nga A2 CNN
22 Maj 2023, 12:35 | Bota
Arka e "luftës", miliarderi egjiptian i dhuron 5 mln paunde

“Arka e luftës” së Konservatorëve britanikë është mbushur me një donacion prej 5 milionë paunde që është dhuruar nga miliarderi egjiptian Mohamed Mansour, i cili kërkon angazhim maksimal nga Rishi Sunak për të mposhtur Laburistët.

Në 22 vite, kjo është dhurata më e madhe politike që i është bërë partisë Konservatore për të mbështetur financat e saj mes frikës se do të mposhtet nga laburistët në zgjedhjet e ardhshme.

Mansour e sheh Sunak si një kryeministër të aftë për të rikthyer në shina ekonominë e vendit, ndaj dha “OK” për donacionin me shtatë shifra.

Besoj se ky vend ka një kryeministër shumë të aftë. Ai që kupton se si gjenerohet rritja në ekonominë moderne. Ai e kupton rëndësinë e teknologjisë dhe inovacionit. Ai mund të bëjë që ekonomia moderne të funksionojë për të gjithë qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar. Unë shoh atë çka ai ka arritur në muajt e tij të parë në detyrë dhe mendoj se çfarë mund të bëjë në pesë vite”, tha biznesmeni kur u pyet përse kontribuoi me këtë shumë rekord në financat e partisë në pushtet.

Përveç drejtimit të grupit "Mansour", biznesmeni i lindur në Aleksandri sapo është zbuluar si bashkëpronar i ekipit të San Diego Major League Soccer në Shtetet e Bashkuara.

Ai është gjithashtu një ish-ministër i kabinetit egjiptian dhe në shkurt ra dakord për një marrëveshje taksash prej shumë milionë paund me HMRC, pas një hetimi në një nga kompanitë e tij, “Unatrac”.

Ndërkohë, donacioni vjen në një kohë kur raportohet se Konservatorët kanë pushuar nga puna pastruesit dhe stafin e sigurisë në selinë e tyre në Londër, në një përpjekje për të forcuar financat përpara zgjedhjeve lokale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos